Do të luajnë në shtator dhe në tetor, Kombëtarja kuqezi drejt 2 miqësoreve

14 Qershor 2025, 21:39 / SPORT ALFA PRESS

Do të luajnë në shtator dhe në tetor, Kombëtarja kuqezi
Pas përballjeve zyrtare në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026, Kombëtarja shqiptare pritet të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajt në vijim – një në shtator, përpara ndeshjes ndaj Letonisë, dhe një tjetër në tetor, menjëherë pas sfidës së rëndësishme kundër Serbisë.

Burime pranë FSHF-së bëjnë me dije për gazetën se këto dy miqësore janë në fazën e negociatave, ndërsa si destinacion i mundshëm i të dyja përballjeve shihet Stadiumi “Air Albania” në Tiranë. Duke qenë se kombëtaret elitare europiane do të jenë të angazhuara në kompeticione zyrtare gjatë asaj periudhe, rivalët e përzgjedhur për këto miqësore pritet të jenë skuadra me profil më modest, të cilat janë të gatshme të zhvillojnë përballje pa shumë ngarkesë kompetitive.

Qëllimi i këtyre dy ndeshjeve miqësore është i dyfishtë: nga njëra anë për të testuar formën dhe alternativat në skuadër, dhe nga ana tjetër për të ruajtur ritmin e garës në një periudhë ku minutazhi dhe kohezioni i grupit është thelbësor për trajnerin Silvinjo. Ndërkohë, Kombëtarja shqiptare është ende në garë për një vend në Kupën e Botës 2026, dhe çdo ndeshje, qoftë zyrtare apo miqësore, konsiderohet një mundësi për të ndërtuar frymën e grupit dhe për të rikthyer vetëbesimin, sidomos pas barazimit zhgënjyes ndaj Letonisë. Emrat e kundërshtarëve pritet të bëhen publikë në javët e ardhshme, sapo të përmbyllen negociatat mes FSHF-së dhe federatave përkatëse.

Ndërkohë në muajin shtator, Shqipëria do të luajë ndeshjen e pestë në grupin kualifikues me Letoninë në shtëpi, më pas do të udhëtojë drejt Serbisë në muajin tetor. Ndërkaq, dy takimet e fundit janë me Andorrën jashtë fushe dhe Anglinë në Tiranë, sfida që do zhvillohen në muajin nëntor.

 

 

Po ndodh...

ide