Goli olimpik i Asllanit ndaj Udinezes, jehonë në mediat italiane

20 Dhjetor 2024, 12:49 / SPORT ALFA PRESS

Goli olimpik i Asllanit ndaj Udinezes, jehonë në mediat italiane

Inter nuk di të ndalet, me zikaltërit që vijojnë betejën e tyre në tre fronte, Serie A, Champions dhe Kupë. Ekipi i Simone Inzaghi-t kaloi me sukses edhe pengesën e radhës, Udineses, duke siguruar një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Italisë ku do të përballet me Lazio-n. Kristjan Asllani zbriti në fushë nga minuta e parë, me mesfushorin kuqezi që ishte protagonist absolut në këtë mbrëmje, duke realizuar një gol olimpik.

Inzaghi kishte bërë tetë ndryshime në raport me ndeshjen e fundit kundër Lazio-s, por kjo nuk kishte asnjë ndikim në fushë, pasi Inter mori kontrollin e lojës që në start, ndërsa në minutën e 30-të, Arnautovic kaloi zikaltërit në avantazh, i shërbyer në mënyrë perfekte nga Taremi.

Në limitet e pjesës së parë, në shtesë, Asllani ekzekutoi një goditje këndi. Topi i hedhur në zonë nuk u devijua nga askush, por përfundoi drejtpërdrejtë në rrjetë duke dyfishuar shifrat. Një gol për katalog, shumë i veçantë, që u festua në mënyrë unike nga lojtarët. Inzaghi e mbajti Asllanin në fushë deri në minutën e 63-të, por asgjë nuk ndryshoi pasi Inter menaxhoi me qetësi pjesën e mbetur të takimit:

Është gjithnjë Inter”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë.

Në përfundim të ndeshjes, Simone Inzaghi i bëri elozhe Asllanin dhe pjesës tjetër të lojtarëve që këtë sezon kanë luajtur më pak minuta: “Bëra tetë ndryshime, por kjo nuk u pa. Kur them se kam 25 titullarë e mendoj me të vërtetë. Unë bej zgjedhje në të mirë të Interit, por kush ka luajtur më ka dhënë sinjale të bukura. Zhvilluam një ndeshje serioze, e interpretuar mirë për 90 minuta”, u shpreh Inzaghi.

Në përfundim të ndeshjes, Asllani u vlerësua nga mediat italiane me notën 7: “Fillimisht një top i gjatë alla Calhanoglu për Arnautovic, më pas një e verdhë e evitueshme. Në fundin e pjesës së parë realizoi një gol olimpik, i ndihmuar edhe nga mbrojtja e Udineses. Në mesfushë një provë e mirë si regjisor, por jo shpesh në ritmin që dëshiron Inzaghi”, shkruajnë mediat për Asllanin.

Po ndodh...