"Ja si u nda nga jeta Maradona"/ Prokurori tregon foton tronditëse në gjyqin me 8 të akuzuar

12 Mars 2025, 15:46 / SPORT ALFA PRESS

"Ja si u nda nga jeta Maradona"/ Prokurori tregon foton

Edhe para nisjes së procesit për vdekjen e Diego Armando Maradonës kishte pasur momente tensioni, me turmën e fansave që priti ekipin mjekësor para gjykatës së San Isidro, duke shpërthyer me thirrje "vrasës", por paraqitja e fakteve nga prokurorit Patricio Ferrari shkaktoi një tronditje të vërtetë.

"Shikoni, kështu vdiq Maradona", – tha prokurori duke treguar fotografinë e trupit të pajetë të “El Diez”, të fryrë tej mase. "Kushdo nga të akuzuarit që thotë se nuk e kuptonte çfarë po ndodhte me Diegon, po gënjen hapur. Kushtet e tij ishin të dukshme", – shtoi ai me theks. Ndërkohë që prokurori vazhdonte të shfaqte fotografinë e legjendës së futbollit argjentinas, bijat e tij, Dalma dhe Giannina, shpërthyen në lot, më pas të ngushëlluara nga motra e tyre, Jana.

Scena dramatike, që bëri xhiron e botës dhe shpërtheu në rrjetet sociale, u transmetua “live” përmes kanalit zyrtar në YouTube të Gjykatës së Lartë të Provincës së Buenos Aires. Në gjyq, në bankën e të akuzuarve është i gjithë stafi mjekësor që kishte kujdesin për kampionin argjentinas ditët e tij të fundit të jetës.

Janë gjithsej tetë persona, mes mjekëve dhe infermierëve, përfshirë mjekun e tij personal, neurokirurgun Leopoldo Luque. Arritja e stafit mjekësor në gjykatën e San Isidro, në periferinë e kryeqytetit, u prit me thirrjet e turmës që ishte mbledhur spontanisht para ndërtesës, "vrasës, vrasës".

Për të shtuar më tej tensionin, ish-gruaja e Maradonës, Veronica Ojeda, u vendos përpara njërit prej të akuzuarve, psikiatres Agustina Cosachov, duke shpërthyer në lot dhe hedhur disa fjalë të rënda në adresë të saj.

Pothuajse disa orë para procesit, e bija, Dalma, kishte kërkuar drejtësi në një intervistë televizive, ku tha se kishte një konspiracion të një grupi të fuqishëm, që dëshironte vdekjen e babait të saj. "Dua që këta njerëz të thonë kush i ka punësuar, kush i ka paguar, kush e ka menaxhuar shtëpinë në të cilën vdiq babai im", – tha ajo.

Në fjalimin e tij përmbyllës, prokurori deklaroi se "pasi u përfundua një vit hetimesh, u ndërtua një akuzë solide dhe pa kundërshtime, e bazuar në prova".

Sipas Ferrarit, ka prova të forta që tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për shkaktimin e vdekjes së Maradonës gjatë periudhës së qëndrimit të tij në shtëpi, që zgjati nga 11 deri më 25 nëntor 2020, në atë që cilësohet "shtëpia e tmerrit".

Prokurori përfundoi fjalimin e tij duke thënë se "familja dhe populli argjentinas meritojnë drejtësi". Maradona vdiq më 25 nëntor 2020 në moshën 60 vjeçare, pas një krize kardio-respiratore, që i ndodhi në rezidencën e tij në Tigre, në periferi të veriut të Buenos Airesit, ku “El Pibe de Oro” po shërohej nga një operacion në tru, për heqjen e një hematome (mpiksje gjaku).

Po ndodh...