Legjenda Del Boske zbulon “sekretin”: Nuk festova golin e Iniestas në finalen e Botërorit se m’u kujtua Biliç

18 Mars 2025, 22:11 / SPORT ALFA PRESS

Legjenda Del Boske zbulon “sekretin”: Nuk festova golin e Iniestas

Visente Del Boske ishte trajneri i cili ngjiti Spanjën në majën e futbollit botëror, duke i dhuruar Kupën e Botës në vitin 2010, ashtu si edhe Europianin dy vite më vonë. Por pikërisht në suksesin në Botërorin në Afrikën e Jugut, të gjithëve u kujtohet reagimi i tij i çuditshëm teksa festoi shumë pak golin e shënuar në finalen ndaj Holandës nga Iniesta, edhe pse mbeteshin vetëm 4 minuta lojë.

Vetë tekniku ka zbuluar se pse nuk e kishte festuar atë gol, teksa tregonte karrierën e tij në podkastin “Pasos atrás” të “Onda Cero”.

“Unë  e them si me shaka që e teprova me festimin tim. Vetëm pak momente më para më ishte afruar Toni dhe më kishte thënë “të fillojmë të mendojmë për ata që duhet të gjuajnë penalltitë”. Por kishin mbetur edhe 4 minuta dhe e kam thënë edhe më parë, por m’u kujtua shumë një kroat i cili ishte trajneri i Kroacisë, Biliç.

Pas Europianit në Austri, kishim një mbledhje mes trajnerësh, ishte e para e imja në drejtimin e përfaqësueses dhe aty ishte edhe Lusi Aragones. Me kujtohet Biliç i cili tregoi se në ndeshjen Turqi-Kroaci kishte shënuar Kroacia golin e avantazhit dhe ishte çmendur duke vrapuar në të gjithë fushën për të përqafuar lojtarët e tij. Dhe na tha “humba shumë kohë duke u përqafuar, por ajo që duhej të kisha bërë ishte të përgatitja ekipin që të mos na shënonin golin e barazimit”. Mori Turqia topin para zonës, një përplasje, e mori një turk dhe e çoi në trekëndësh. Nga 1-0 shkoi 1-1, shkuan te penalltitë dhe humbën kroatët. Dhe mua m’u kujtua në mënyrë perfekte në atë moment ky rast. Kjo është e vërteta. Ai ishte një njeri i cili shpjegoi në mënyrë perfekte se si duhet të jetë një trajner në atë moment”, shpjegoi Del Boske.

Ndeshja në fjalë i përket Euro 2008, mes Kroacisë dhe Turqisë. Klasniç shënoi golin e 1-0 për Kroacinë në minutën e 119, ndërsa Sentyrk barazoi në minutën e 122-të. Me penallti, ishin turqit ata që fituan dhe kaluan në turin tjetër.

 

Po ndodh...