Meçe: Berisha i rrezikshëm edhe për SHBA, ‘non grata’ se cenoi sigurinë! Çoi Këlliçin të lobonte me para!

5 Shkurt 2025, 19:31 / POLITIKË ALFA PRESS

Meçe: Berisha i rrezikshëm edhe për SHBA, ‘non

Sali Berisha nuk e heq dot ‘non gratën’ as në SHBA dhe as në Britani. Për të arritur këtë ka vetëm një mënyrë, që të merret një vendim personal nga presidenti Donald Trump, pa u këshilluar me institucionet që e kanë vendosur atë masë, të cilat gjithashtu kanë dhe kompetencën për propozimin e heqjes ose jo të saj.

Kështu shprehen në “Studio Live” të Report TV dy të ftuarit, analisti Arben Meçe dhe avokati Idajet Beqiri.

Për ta Berisha ka bërë veprimtari antikombëtare, sepse ‘non grata’ nuk është vendosur vetëm për shkaqe korrupsioni. Ai dhe familja e tij kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe deri Amerikës, akte për të cilat SHBA dhe Britania kanë një dosje të kopsitur dhe mbi këtë bazë është vendosur masa e nisur që 9 vite më parë si procedurë.

Për Meçen është e qartë, se ‘non grata’ ndaj Berishës nuk është filozofi politike, por ka të bëjë me cenimin e sigurisë kombëtare. Kurse për Beqirin, jo vetëm që ish-kryeministri nuk ka shanse ta heqë ‘non gratën’, por me veprat që ka kryer ai 'e ka të sigurt vendin te Burgu 313 dhe dënimin e përjetshëm'.

Meçe thotë se Berisha dërgoi Belind Këlliçin në SHBA pikërisht me qëllimin që të lobonte me para heqjen e non gratës, por nuk do që t'i dalë rrjedhja e parave tani, ndaj shprehet se do presë administratën e Trump.

“Sali Berisha nuk po bën lobim në Amerikë se administrata Trump nuk është formuar ende. Belind Këllici nuk shkoi kot në SHBA ku mori pjesë në fushatë, për heqjen e non grata në SHBA. Kjo nëpërmjet rrjedhjes së madhe të parave. Por Berishës nuk i intereson që të dalë kjo rrjedhje parash. Ndaj ai pret reagimin e administratës së re apo pritja e një deklarate nga SHBA, teksa së fundmi edhe Britania e rimbështeti SPAK dhe drejtësinë, ndaj edhe ai thotë se nuk po loboj, se pret ndonjë deklaratë nga ambasada e SHBA.  Nuk është sekretari i shtetit që heq non gratën apo e vendos, por janë institucionet poshtë tij që vendosin këtë në bazë informacioni dhe analize. Janë CIA, FBI, DEA etj., që kalojnë protokollin dhe përcjellin këtë gjë. Pra është e pamundur që të merret vendim i menjëhershëm për ta hequr nëpërmjet këtyre institucioneve me një firmë. Pra duhet të kalojë në rrugë institucionale. Çështja e Berishës nuk është vendimmarrje politike. Mënyra Protokollare e heqjes së non gratës është e përcaktuar, se koha nuk premton deri në zgjedhje për ta hequr nëpërmjet institucioneve të pavarura atje”, shprehet Meçe.