Ndeshja ndaj Elbasanit, Tetova: Jemi gati, e kam studiuar rivalin

7 Prill 2025, 13:24 / SPORT ALFA PRESS

Ndeshja ndaj Elbasanit, Tetova: Jemi gati, e kam studiuar rivalin

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova doli në konferencë para ndeshjes ndaj Elbasanit.

KUNDËRSHTARI – “Për nga rëndësia mendoj që është një ndeshje e radhës kundër Elbasanit, i cili ndeshjet e fundit ka bërë mirë. Kanë një ekip të pjekur dhe mendoj se bëjnë një lojë të mirë futbolli. Nuk jam marrë me karakteristika, por goditjet nga distanca të Elbasanit janë diçka që shihen. Mendoj që kemi marrë masat e duhura. Do të ketë ndryshim taktik, sepse kemi edhe mungesa në mbrojtje, ku kemi pasur dëmtime gjatë ndeshjes së Kupës. Do të shohim të rikuperojmë diçka dhe të shohim, sepse koha ka qenë e shkurtër”.

PRESIONI – Sa i përket presionit për të mbajtur vendin e parë dhe qenë në top-formë kur të nisë “Final 4”, Tetova pohon se mendojnë për ndeshjen e radhës dhe se duan vetëm të kenë vazhdimësi. “‘Final ‘4 është pak më vonë dhe nga unë i pari, deri te lojtarët, jemi fokusuar te ndeshja e radhës ndaj Elbasanit dhe të gjitha energjitë do të jenë aty. Presion nuk ka, por na duhet vazhdimësi. Mendoj se lojtarët e ardhur nga dëmtimi kanë nevojë për minuta. Kështu mund të rrisim performancën e çdo lojtari deri në fund”, vijoi Tetova.

SHQETËSIMI – Edhe pse Egnatia është skuadër që në tërësi funksionon mirë, Tetovën e shqetëson faza e mbrojtjes për shkak të dëmtimeve të shumta, ndërsa armën e fortë sheh pa dyshim qarkullimin e topit.

“Mendoj që skuadra ka qenë e mirorganizuar në të dyja fazat, si në mbrojtje, edhe në sulm. Më shqetëson më shumë pjesa e mbrojtjes, sepse nuk kemi pasur një ekuilibër të mirë për shkak të ndryshimit të lojtarëve, jo për fajin e tyre, por për çështje dëmtimesh. Fizionomia e punës është mbajtja e topit në zotërim dhe për këtë mendoj që këto tri vite kanë qenë dominuese dhe çdo gjë do të jetë e bazuar te qarkullimi i topit”, mbylli prononcimin e tij për mediat tekniku Edlir Tetova.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128