Sot ndeshja ndaj Anglisë/ Kuqezinjtë sfidojnë vetë historinë, formacioni i mundshëm i Shqipërisë

21 Mars 2025, 13:28 / SPORT ALFA PRESS

Sot ndeshja ndaj Anglisë/ Kuqezinjtë sfidojnë vetë

Thomas Tuchel do të drejtojë ndeshjen e tij të parë si trajner i Anglisë të premten, kur të tijtë të presin Shqipërinë në stadiumin “Wembley”, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës.

Anglia është gjithashtu në Grupin K, bashkë me Andorrën, Letoninë dhe Serbinë.

Tuchel bëri disa zgjedhje surprizuese në grumbullimin e tij të parë, duke përfshirë rikthimin e Marcus Rashford, si dhe dy veteranët, Jordan Henderson e Kyle Walker.

Morgan Gibbs-White u ftua më vonë si zëvendësues i Cole Palmer, i cili u tërhoq për shkak të një dëmtimi.

Mbetet për t’u parë nëse Tuchel do të zgjedhë të luajë me një mbrojtje me tre, skemë që e përdori gjerësisht gjatë kohës së tij si trajner i Chelsea, apo nëse do të ndjekë formacionin 4-2-3-1 që Anglia përdori në “Euro 2024”, nën drejtimin e Gareth Southgate.

Trajneri i ri, i njohur për fleksibilitetin e tij taktik, mund të zgjedhë të përshtasë formacionin në varësi të lojtarëve në dispozicion dhe kundërshtarit.

Debutuesit e mundshëm në këtë ndeshje përfshijnë Dan Burn, Jarell Quansah, James Trafford dhe Myles LeWis-Skelly. Me mungesën e opsioneve në krahun e majtë të mbrojtjes, Lewis-Skelly duket si kandidati më i mundshëm për debutim nga minuta e parë kundër Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Shqipëria do të synojë të tregojë se paraqitjet e saj premtuese në “Euro 2024”, ku edhe pse përfundoi e fundit në grup, arriti të barazonte me Kroacinë, t’i diktojë një sfidë të vështirë Italisë dhe të qëndronte fort kundër Spanjës, nuk ishin një rastësi.

Megjithatë, Liga e Kombeve që pasoi nuk ishte e lehtë për kuqezinjtë, me vetëm një fitore (ndaj Gjeorgjisë) në 5 ndeshje.

Nën drejtimin e Sylvinho, kombëtarja shqiptare luan futboll intensiv dhe kërkon të sulmojë shpejt e drejtpërdrejt.

Fakti që humbjet e kuqezinjve kundër ekipeve më të forta zakonisht vijnë me diferencë të vogël tregon disiplinën e tyre mbrojtëse.

Mbrojtësi Elseid Hysaj nuk do të jetë i disponueshëm, por trajneri do të ketë në dispozicion dy sulmuesit kryesorë, Armando Brojën dhe Rey Manajn, të rikuperuar nga dëmtimet.

Kjo ndeshje kualifikuese do të startojë sot, më 21 mars, prej orës 20:45, në stadiumin “Wembley” të Londrës. Gjyqtar kryesor do të jetë Alejandro Hernandez (Spanjë).

Anglia i ka fituar të gjashtë përballjet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve, përfshirë dy fitore me rezultatin 5-0, në prill 1989 dhe nëntor 2021.

Shqipëria ka shënuar vetëm një gol kundër Anglisë në histori (Altin Rrakli më 2001).

Shqipëria nuk ka fituar kurrë një ndeshje zyrtare kundër një ekipi të renditur në top-10 e FIFA-s (2 barazime, 17 humbje), por ka një fitore në miqësore kundër Francës (1-0, në qershor 2015, me golin e Ergys Kaçe).

Anglia është e pamposhtur në 31 ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës (23 fitore, 8 barazime), seria më e gjatë aktive në Europë.

10 trajnerët e fundit të Anglisë i kanë fituar ndeshjet e tyre të para (debutuese) në drejtim të “Tre Luanëve”. I fundit që e humbi ndeshjen e parë ishte Alf Ramsey më 1963 (kundër Francës).

Robert Lewandowski është lojtari i vetëm në pesë ligat kryesore të Europës që ka shënuar më shumë gola se Harry Kane (32) në sezonin 2024-2025.

Jude Bellingham është gati të thyejë rekordin e Wayne Rooney për më shumë paraqitje me Anglinë, para se të mbushë 22 vjeç (të dy janë aktualisht me nga 40 ndeshje).

Anglia nis një epokë të re me Thomas Tuchel në krye, ndaj tifozët ishullorë do të jenë kuriozë të shohin se si do të shfaqet kombëtarja e tyre në ndeshjen e parë kualifikuese.

Ndërkohë, Shqipëria synon të sfidojë një nga kombëtaret më të forta të Europës dhe të tregojë se është në gjendje të përballet me kundërshtarë të mëdhenj.

Formacioni i kuqezinjve
Trajneri Sylvinho ka probleme mungesash dhe lëndimesh, ndaj duhet ta rikompozojë formacionin e vet tip.

Nuk do të ndryshojë skemë, duke i qëndruar 4-3-3, por në emra do të ketë risi të detyrueshme.

Kështu, në të majtë të mbrojtjes do të luajë Aliji, në mungesë të Mitajt, ndërsa ka njëlloj balotazhi mes Ajetit dhe Kumbullës në qenër të prapavijës, përkrah kapitenit Gjimshiti.

Kjo për shkak se nuk ia ka dalë dot të rikuperohet Ismajli, “padron” i këtij roli zakonisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për majën e sulmit kuqezi.

Uzuni duket disi më i avantazhuar se Manaj, duke qenë se ky i fundit pësoi një goditje të fortë në kokë dhe përfundoi në spital me klubin e tij turk, së fundi.

Nga ana e tij, Broja nuk është në formën optimale, ndaj nuk mund të startojë./TELESPORT