Trajneri i kombëtares: Ndaj Polonisë të tentojmë 3 pikët. Brojës i ofrova mbështetje

7 Mars 2023, 22:13 / SPORT ALFA PRESS

Trajneri i kombëtares: Ndaj Polonisë të tentojmë 3

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho premton surpriza në listën e emrave që do të publikojë për eleminatoret Euro 2024. Në një intervistë për RTSH, tekniku brazilian i kuqezinjve ndalet fillimisht te risitë duke e pranuar se një lojtar i Partizanit ka tërhequr vëmendjen e tij.

“Po, do të ketë emra të rinj, ndoshta dy apo tre Prej dy muajsh këtu kam parë ndonjë ndeshje dhe mund të them që lojtarë të mirë ka gjithandej, por nuk dua të përmend emra. Është një lojtar te Partizani i cili më pëlqen shumë, e kam ndjekur disa herë dhe them se teknikisht mund të zhvillohet edhe më shumë. Gjithmonë ka lojtarë dhe ne duhet t’i shohim, ndaj vendosa që të jetoj këtu”.

Sipas Sylvinho-s është shumë e rëndësishme që skuadra të luajë me shpirt dhe çdo gjë është e mundur që në transfertën e Polonisë pasi ndeshja e 27 shkurtit është një histori e re dhe nuk ka lidhje me sfidat e dy viteve të shkuara. Në vijim, Sylvinho ndalet edhe te çështja e dëmtimeve. “Për fat të keq në futboll ndodh edhe dëmtimi, është një moment i vështirë për futbollistët. Kur nisa punën rreth dy muaj më parë, mendova të bëj një rrugëtim të gjatë për të takuar lojtarë të shpërndarë në Europë, të tjerë i kam kontaktuar në telefon.

Mendoja se në 2-3 raste duhet të shkoja e takoja e të flisja nga afër me ta, sepse doja t’u tregoja rëndësinë që kanë për ne, edhe pse nuk do të jenë në listë. Dëshiroja ti përqafoja se personalisht e di shumë mirë që një lojtar që qëndron 2-3 muaj jashtë, e ka shumë të vështirë. Takova Brojën dhe i thashë se ka gjithë mbështetjen tonë edhe pse nuk është pjesë e listës. Shkova edhe në Portugali për të bërë të njëjtën gjë me Ardian Bajramin”.

Numri 1 i stolit kuqezi foli edhe pë jetën në Tiranë duke vënë theksin në bujarinë dhe dashurinë e njerëzve ndërsa shtoi se ushqimi është një nga gjërat që i ka bërë më shumë përshtypje.