Stuhia e shiut dhe breshërit godet Elbasanin/ Evidentohen dëme në qytet dhe në zonat rurale

24 July 2026, 18:18 / AKTUALITET ALFA PRESS
Stuhia e shiut dhe breshërit godet Elbasanin/ Evidentohen dëme në

Moti i keq i shoqëruar me reshje intensive shiu, erëra të forta dhe breshër ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Elbasanit dhe në disa zona rurale të bashkisë.

Sipas të dhënave paraprake nga Zyra e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan, stuhia ka rrëzuar dhe dëmtuar disa pemë dekorative, ndërsa erërat e forta kanë shkatërruar tenda biznesesh dhe kanë rrëzuar vazo nga ballkonet e banesave, duke krijuar rrezik për kalimtarët.

Reshjet me intensitet të lartë kanë sjellë përmbytjen e disa bodrumeve dhe të disa akseve rrugore kryesore të qytetit. Po ashtu, një pjesë e kolektorëve nuk kanë përballuar sasinë e madhe të ujit, duke dalë përkohësisht jashtë funksionit dhe duke vështirësuar kullimin.

Pasoja janë regjistruar edhe në zonat rurale, ku breshëri ka dëmtuar kultura të ndryshme bujqësore. Sipas vlerësimeve të para, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në parcelat e mbjella me duhan, ku prodhimi ka pësuar goditje të ndjeshme.

 

Strukturat e Emergjencave Civile kanë nisur evidentimin në terren të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga moti i keq, ndërsa janë angazhuar ekipet e shërbimeve emergjente për pastrimin e rrugëve, largimin e pemëve të rrëzuara dhe normalizimin e situatës në zonat më të prekura.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, pasi moti i paqëndrueshëm mund të vijojë të krijojë probleme edhe në orët në vijim.

 

Po ndodh...

ide