U vra nga kunati pak ditë pasi paralajmëroi Prokurorinë, varroset sot në Radac Arlinda Zekaj

27 October 2026, 09:48 / KOSOVA ALFA PRESS

U vra  nga kunati pak ditë pasi paralajmëroi Prokurorinë,

Arlinda Zekaj, 49-vjeçarja që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës, do të përcillet sot për në banesën e fundit. Ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, veçanërisht pasi u bë e ditur se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.

Më 22 tetor, ajo i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.

“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.

Sipas informacioneve të publikuara, pak orë para vrasjes, Arlinda kishte raportuar në polici ish-bashkëshortin për kanosje.

I dyshuari për vrasjen, Albert Sylaj, është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës dhe vazhdon të jetë në arrati.

Rasti ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me reagimin e institucioneve dhe trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje, ndërsa sot familjarët dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit.

 

Po ndodh...