114 vite Pavarësi/ Një 28 Nëntor në shenjë revolte, qytetarët në shesh për ndryshim, protesta mbyllet pas orësh përplasjesh me policinë

28 November 2026, 20:41 / POLITIKË ALFA PRESS
114 vite Pavarësi/ Një 28 Nëntor në shenjë revolte,

Protesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë është shoqëruar me orë të tëra tensioni, përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, hedhje molotovësh, gurësh e fishekzjarrësh, si dhe përdorim të përsëritur të gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë me presion. Ajo që nisi në mëngjes si një marshim kundër qeverisë përfundoi në mbrëmje me ndërhyrjen e forcave të rendit për zbrazjen e sheshit “Skënderbej”.

Tubimi u zhvillua në një ditë simbolike për shqiptarët, në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa protestuesit dolën në rrugë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e drejtimit politik të vendit.

Që në orët e para, turma u përqendrua në sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit marshuan në drejtim të Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Situata u tensionua me afrimin e tyre pranë institucioneve qendrore, ku një grup protestuesish hodhi gurë, fishekzjarrë dhe molotovë në drejtim të godinave dhe forcave të policisë.

Përplasjet u shoqëruan me dëmtime të pronës publike dhe godinave institucionale. Raportimet nga terreni bënë me dije për thyerje xhamash në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Brendshme, ndërsa dëmtime u raportuan edhe në Teatrin e Kukullave, Ministrinë e Mjedisit, Bankën e Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës.

Përballë përshkallëzimit të situatës, policia ndërhyri me autobotë ujëhedhës dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Përplasjet u intensifikuan në bulevard, ku nga turma u hodhën molotovë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve. Disa prej bombave artizanale shkaktuan flakë, duke përfshirë edhe një autobot të policisë dhe një efektiv, i cili u raportua se mori flakë gjatë incidenteve.

Gazi lotsjellës mbulon qendrën e Tiranës

Pas përplasjeve në bulevard, një pjesë e protestuesve u zhvendos drejt selisë së Partisë Socialiste, ku vijuan hedhjet e molotovëve dhe gurëve. Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës, ndërsa situata mbeti e tensionuar për disa orë.

Ndërhyrja e forcave të rendit nuk solli shpërndarjen e menjëhershme të turmës. Protestuesit u organizuan në grupe dhe vijuan qëndrimin në rrugë, ndërsa disa prej tyre u panë duke mbledhur gurë dhe hunj për t'u përballur me policinë.

Më pas, një pjesë e protestuesve u rikthye në sheshin “Skënderbej”, ndërsa grupe të tjera u zhvendosën në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë edhe hapësirat pranë Parlamentit.

Edhe në sheshin qendror të kryeqytetit përplasjet vijuan. Protestuesit hodhën molotovë në drejtim të autobotëve të policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën sërish ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Sipas raportimeve mediatike, gjatë ndërhyrjes u përdor edhe gaz lotsjellës i hedhur nga dronët, duke mbuluar me tym një pjesë të konsiderueshme të sheshit.

Në disa momente, tymi i gazit u përhap në hapësirat përreth, ndërsa qytetarët dhe protestuesit u detyruan të largoheshin nga zona për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Përplasjet dhe ndërhyrjet e policisë vijuan deri në orët e mbrëmjes.

30 të lënduar, mes tyre policë, protestues dhe gazetarë

Bilanci i të lënduarve u rrit gradualisht gjatë ditës. Në përditësimin e parë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u raportuan persona të lënduar në radhët e policisë, protestuesve dhe përfaqësuesve të medias, përfshirë edhe një gazetare të huaj.

Deri në orën 15:15, në spitalet e kryeqytetit ishin paraqitur 19 persona për ndihmë mjekësore. Prej tyre, 17 u paraqitën në Spitalin Universitar të Traumës dhe dy në QSUT. Në mesin e të lënduarve kishte efektivë policie, protestues dhe gazetarë.

Ndërsa në përditësimin e mëvonshëm, Ministria bëri me dije se në Spitalin Universitar të Traumës ishin paraqitur 30 persona të lënduar. Të dhënat e publikuara në orët e pasdites tregonin për një bilanc në rritje, si pasojë e përplasjeve të vazhdueshme.

Policia ndërhyn përfundimisht, boshatiset sheshi “Skënderbej”

Pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të policisë, protestuesit vijuan të qëndronin në sheshin “Skënderbej” edhe pas orëve të pasdites. Rreth orës 19:30, forcat e rendit nisën aksionin përfundimtar për shpërndarjen e tyre.

Dy autobotë me ujë u angazhuan në këtë ndërhyrje, ndërsa policia ushtroi presion për të larguar grupet e mbetura në shesh dhe për të rikthyer kontrollin në zonën qendrore të kryeqytetit.

Pak pas orës 20:00, protestuesit u larguan nga sheshi “Skënderbej”, duke shënuar kështu përfundimin e protestës së 28 Nëntorit.

Pas disa orësh përplasjeje, hedhjesh molotovësh, gazi lotsjellës dhe ndërhyrjesh me ujë me presion, qendra e Tiranës u boshatis. Protesta e kësaj të shtune u mbyll me dëmtime në disa objekte publike, të lënduar në disa kategori dhe një bilanc që pritet të qartësohet më tej nga institucionet.

Po ndodh...

ide