81 vite burg në total për Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin, shpërthejnë protestuesit në rrugët e Prishtinës: UÇK!

16 September 2026, 11:53 / KOSOVA ALFA PRESS

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur sot vendimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në një prej proceseve më të ndjekura gjyqësore që lidhen me luftën e Kosovës.

Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite burg, ndërsa në total dënimet ndaj katër të pandehurve arrijnë në 81 vite burg. Vendimi lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1998-1999. Thaçi është shpallur fajtor për vepra që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar.

Vendimi vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor. Katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan dhe u transferuan në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Procedurat dëshmuese u mbyllën në dhjetor 2025, ndërsa deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt të vitit 2026.

Reagime dhe protesta në Prishtinë

Vendimi i Gjykatës është shoqëruar me reagime të forta në Kosovë. Në Prishtinë, qytetarë dhe mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së kanë dalë në rrugë, duke brohoritur në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke mbajtur flamuj shqiptarë e simbole të UÇK-së.

Mijëra persona ishin mbledhur në Prishtinë edhe pak ditë para shpalljes së vendimit, në një protestë solidariteti me Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin. Në tubim u dëgjuan thirrje në mbështetje të UÇK-së, ndërsa protestuesit kundërshtuan procesin gjyqësor në Hagë.

Katër ish-krerët e UÇK-së u përballën në Hagë me një aktakuzë që përfshinte 10 pika, mes tyre akuza për përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si krime kundër njerëzimit, si dhe arrestim e ndalim të paligjshëm e arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje si krime lufte. Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.

Procesi ndaj tyre është ndjekur me vëmendje të madhe në Kosovë, ku UÇK-ja konsiderohet nga shumë qytetarë si forcë çlirimtare. Në ditët para verdiktit, në Prishtinë u zhvilluan protesta masive në mbështetje të katër ish-krerëve, ndërsa vendimi i sotëm pritet të ketë jehonë të gjerë në Kosovë dhe në rajon.

Vendimi i sotëm është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë.

Po ndodh...

ide