VIDEO/ Protestuesit e opozitës para gjykatës: Na kanë dhunuar dhe terrorizuar

22 Prill 2024, 10:45 / AKTUALITET ALFA PRESS

VIDEO/ Protestuesit e opozitës para gjykatës: Na kanë dhunuar dhe

Këtë të hënë në orën 10:30 dolën para Gjykatës së Tiranës 4 protestuesit e arrestuar pas protestës para Bashkisë së kryeqytetit të premten e kaluar. 

Policia nisi arrestimet menjëherë pas protestës duke mësyrë në orët e mesnatës deri mëngjesin e të shtunës në banesat e protestuesve për të bërë arrestimin e tyre. 

Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franc Kaloshi dhe Artan Muçmata, janë në masën arrest në burg për përdorim të lëndëve piroteknike dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Në sallën e gjyqit, protestuesit thanë se janë keqtrajtuar nga forcat e rendit.

Një prej tyre, Franc Kaloshi tha se i kanë terrorizuar familjen.

Ai tha se është i pafajshëm dhe se nuk ka hedhur molotov ndaj forcave të rendit.

"Më kanë terrorizuar familjen. Kanë ardhur në 7 të mëngjesit në banesën time në Fier. Nëna ime, babai im, kanë qenë të pranishëm. Nuk kam qëlluar me molotov apo punonjës policie. Na kanë hequr edhe rripat e pamtallonave, jam demokrat me kontribute familjarisht. Kam protestuar paqësisht. Jam arrestuar në Fier, është rrethuar e gjithë zona për të më arrestuar mua. Kurrë në jetën time në kam qëlluar ndaj një punonjësi policie. Kam respekt për uniformën e policisë së shtetit," tha ai.

Ndërkohë një tjetër i arrestuar tha se molotovi te bashkia u hodh nga studentë të Akademisë së Rendit.

Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj, të dy 18 vjeç, janë arrestuar për përdorim të lëndëve piroteknike, ndërsa Franc Kaloshi, 35 vjeç, për ushtrim dhune ndaj punonjësve të policisë.

Për masë sigurie ka dalë edhe Artan Muçmata.