Punëtorët aziatikë në listë të zezë! Iu refuzohen vizat/E përdornin Shqipërinë si trampolinë për në BE

21 Prill 2024, 23:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

Punëtorët aziatikë në listë të zezë! Iu
Punonjësit aziatikë duket se janë futur në listën e zezë të Ministrisë së Jashtme, e cila iu refuzon vizat për të qëndruar e për të punuar në Shqipëri.

Edhe pse nuk ka një urdhër të publikuar zyrtarisht, të huajt nga Bangladeshi, Nepali, Sri Lanka apo India nuk janë më të mirëpritur ligjërisht për të punuar në vendin tonë. Precedentët e krijuar nga personat e rekrutuar më herët të cilët e përdornin Shqipërinë si trampolinë për t’u larguar drejt Europës dhe braktisnin befas vendin e punës, jo vetëm që nuk zgjidhën krizën e punësimit këtu për shkak të emigracionit, por ndikuan edhe në komente negative për vendin e shqiponjave duke u bërë faktor pengues për të gjithë këtë etnitet.

Më të dëmtuarit në këto rrethana veç sipërmarrësve shqiptarë që ende vuajnë për punonjës, të djegur janë agjencitë e punësimit, të cilët kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash për të huajt nga vendet në zhvillim në lidhje me aplikimin për viza shqiptare. Ankesat drejtuar Drejtorisë së Çështjeve Konsullore pranë Ministrisë së Jashtme janë të shumta, duke kundërshtuar anulimin e vizave për qindra punonjës nga Bangladeshi apo Nepali, por në përgjigjet që kanë marr thuhet se vendimi i anulimit është i pakontestueshëm.

Në e-mailet e siguruara ekskluzivisht nga Top Channel, agjencitë e punësimit këmbëngulin për rishikimin e dokumentacioneve të punonjësve aziatikë që sipas tyre janë në përputhje me ligjin “për të huajt”, teksa rendisin edhe kostot e aplikimit që shkojnë me përafërsi 20 mijë lekë të reja për një person, teksa një kompani punësimi aplikon për dhjetëra punonjës. Tarifat në detaje janë 8.000 lek për lejen unike, 1.300 lek për përkthimin dhe noterizimin e certifikatës së zanatit, legalizimi i dokumentit certifikues 50 euro dhe kosto e postës për dërgimin e marrjen e kontratës së punës po 50 euro. Mirëpo Ministria e jashtme thekson se vlerëson negativisht kërkesën për riaplikim me argumentin se është kjo kategori punonjësish që ka njollosur Shqipërinë.

“Në vijim të ankimimit mbi refuzimin e vizave të shtetasve nga Bangladeshi dëshirojmë t’ju informojmë se këta shtetas janë kategori potenciale largimi nga territori shqiptar; shtetas problematikë duke ndikuar kështu negativisht në imazhin dhe përpjekjet e vendit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, deklaron Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Edhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe policia kufitare nuk kanë lejuar gjithashtu edhe rinovimin e vizave të punonjësve aziatikë që kanë më shumë se një vit qëndrimi në Shqipëri dhe janë përfaqësuar serioz në punë. Si dhe janë anuluar vizat e punonjësve nga Nepali apo Bangladeshi që ishin pajisur me vizë për sezonin e ri turistik, por që nuk kishin ardhur akoma./TCH

 

Po ndodh...

ide