Zbulohen dy biznesmenët që po tentojnë të rrëmbejnë 60 hektarë tokë në Sarandë për Park Voltaik

29 Shkurt 2024, 21:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Zbulohen dy biznesmenët që po tentojnë të
Në tetor të vitit të kaluar, në Bashkinë e Sarandës mbi papritmas një projetvendimi për dhënien me qira të 60 hektarëve tokë tek një privat, që ka propozuar të ndërtojë një park fotovoltaik. Zona ku propozohet të ndërtohet parku njihet si Kullotat e Heremecit dhe shtrihet në afërsi të fshatit Nivicë-Bubar, ish komuna e Lukovës.

Projekti për ndërtimin e parkut fotovoltaik është kundërshtuar fuqishëm nga banorët e Sarandës, veçanërisht ata të fshatit Nivicë-Bubar. Përtej efekteve negative të parkut në ekosistemin e një zone me potencial të lartë turistikë, në qendër të kundërshtimeve qëndron edhe pronësia e tokës.

Prona në fjalë është regjistruar në pronësinë e Bashkisë së Sarandës në 10 tetor të vitit të kaluar, vetëm 10 ditë para se të paraqitej kërkesa për ndërtimin e parkut fotovoltaik. Por dhjetra familje të fshatit Nivicë-Bubar pretendojnë se Bashkia ka falsifikuar dokumentat e pronësisë, pasi prona u përket atyre. Mbi pretendimet e banorëve, po në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Sarandës ka vendosur bllokimin e pronës përmes sekuestros konservative.

Buzi-Xhindoli

Pavarësisht kundërshtimeve dhe vendimit të Gjykatës, Bashkia e Sarandës nuk është tërhequr nga projekti dhe për muaj të tërë e kishte mbajtur të fshehtë emrin e kompanisë që qëndronte pas tij. Deri më sot.

Sipas projektvendimit, kompania e interesuar për të ndërtuar voltaikun quhet Park Sol Energy. Kjo kompani është krijuar në shtator të vitit 2022 dhe zotërohet nga dy biznesmenë. Ata janë Paqsor Buzi dhe Agim Xhindoli, të cilët kanë nga 50 për qind të aksioneve.

Paqsor Buzi është një biznesmen i fuqishëm në fushën e ndërtimit, i cili ka përfituar dhjetra milionë euro nga kontratat publike përmes kompanisë së tij GPG. Agim Xhindoli po ashtu zotëron disa kompani në fusha të ndryshme, por fama e tij u rrit edhe më shumë kur u intervistua nga Edi Rama në podcastin e kryeministrit.

Kompania e dy biznesmenëve synon të ndërtojë një park të madh fotovoltaik mbi tokën që do të marrë me qira nga Bashkia e Sarandës. Por deri më tani projektvendimi nuk ka kaluar dot në Këshillin Bashkiak për shkak edhe të kundërshtimeve të forta të qytetarëve. I parashikuar për t’u votuar këtë të enjtë në datën 29 shkurt, Bashkia e Sarandës e tërhoqi sërish projektvendimin e parkut fotovoltaik nga rendi i ditës së Këshillit. Por banorët druhen se vendimi do të kalojë, pasi sipas tyre ndaj anëtarëve të Këshillit po bëhet presion nga lart./Kapital.al