Atentat ndaj dy ligjvënësve demokratë në Minnesota të SHBA. Vritet përfaqësuesja Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, plagoset rëndë një tjetër senator

14 Qershor 2025, 18:09 / BOTA ALFA PRESS

Atentat ndaj dy ligjvënësve demokratë në Minnesota të
Dy ligjvënës demokratë të shtetit të Minnesotës janë bërë shënjestër e një atentati të armatosur në shtëpitë e tyre përkatëse në SHBA.

Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën përfaqësuesja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Melissa Hortman, si dhe bashkëshorti i saj, Mark Hortman.

Lajmin e konfirmoi vetë guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp të mbajtur mëngjesin e së shtunës.

“Kjo duket qartësisht si një vrasje politike e qëllimshme. Një akt i dhunshëm që synon destabilizimin përmes terrorit,” deklaroi ai me një ton të ashpër dhe të prekur emocionalisht.

Sipas autoriteteve, një tjetër objektiv i sulmeve ka qenë edhe senatori i shtetit, John Hoffman, po ashtu pjesë e Partisë Demokrate-Fermere-Punëtore.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Yvette, janë qëlluar disa herë me armë në banesën e tyre në qytetin Champlin. Të dy janë dërguar me urgjencë në spital dhe i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Guvernatori Walz tha se shpreson që ata të mbijetojnë, duke shtuar se janë aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Të shtënat ndodhën në zonat Champlin dhe Brooklyn Park, dy qytete të afërta me njëri-tjetrin, që ndodhen në rrethinat e Minneapolisit. Policia lokale dhe shërbimet emergjente kanë vendosur masa sigurie të forta në zonë dhe një perimetër të izoluar në një rreze prej afro 5 kilometrash nga vendngjarja.

Zyrtarët kanë lëshuar urdhër për qëndrim në shtëpi për banorët dhe u kanë bërë thirrje të mos hapin derën për askënd, përveç nëse paraqiten dy oficerë policie së bashku. Dyshohet se autori mund të jetë duke u shtirur si oficer policie dhe është ende në arrati.



Po ndodh...

ide