BE miraton sanksione të reja ndaj Iranit: Ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimi

30 Janar 2026, 17:18 / BOTA ALFA PRESS

BE miraton sanksione të reja ndaj Iranit: Ngrirje pasurish dhe ndalime

Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione të reja ndaj Iranit, në përgjigje të shtypjes së vazhdueshme të protestave dhe mbështetjes që Teherani i jep Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Komisioni Evropian përshëndeti vendimin e Këshillit të BE-së për vendosjen e masave të reja kufizuese, duke theksuar se situata në Iran po ndiqet nga afër dhe se BE është e gatshme të marrë masa të tjera nëse është e nevojshme.

Sipas vendimit, sanksionet do të vendosen ndaj 15 individëve dhe 6 subjekteve të tjera. Masat përfshijnë:

ndalimin e udhëtimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian,

ndalimin e dhënies së fondeve apo burimeve ekonomike për personat dhe subjektet e sanksionuara.

Këshilli i BE-së ka zgjeruar gjithashtu ndalimin e eksportit dhe furnizimit drejt Iranit të teknologjive dhe komponentëve që përdoren për prodhimin e dronëve dhe raketave. Sipas BE-së, këto pajisje po dërgohen nga Irani në Rusi dhe po përdoren për sulme kundër civilëve dhe infrastrukturës në Ukrainë.

Përveç kësaj, janë vendosur sanksione edhe ndaj 4 individëve dhe 6 entiteteve të tjera për përfshirjen e tyre në programin iranian të dronëve dhe raketave.

Masat do të hyjnë në fuqi pas publikimit të tyre në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se këto sanksione dërgojnë një mesazh të qartë ndaj regjimit iranian.

“Shtypja e protestuesve nuk do të mbetet pa përgjigje. Ata që janë përgjegjës për dhunën do të përballen me pasoja ndërkombëtare. Nëse situata përkeqësohet, ne jemi gati të bëjmë më shumë,” u shpreh ajo.

Edhe Komisionerja për Shërbimet Financiare, Maria Luís Albuquerque, tha se këto masa tregojnë qartë dënimin e BE-së ndaj reagimit të dhunshëm të Iranit ndaj protestave paqësore.

Po ndodh...

ide