SPAK i mbyll derën Komisionit “Xhafaj 2”: Nuk mund të na monitoroni!

Sapo prokurorët e SPAK thyen disa tabu me dosjet e Belinda Ballukut dhe të Ergys Agasit duke i prishur qejfin Edi Ramës me një gërvishtje të lehtë të qendrës së pushtetit, mazhoranca socialiste ka riaktivizuar mekanizmat parlamentarë për të “monitoruar”, testuar dhe nëse është e mundur, disiplinuar drejtësinë e re.
Një dokument zyrtar, provon se tashmë shumica e Edi Ramës ka kaluar në kundërsulm në një përpjekje për t’i intimiduar prokurorët duke përdorur sërish atë, të njëjtin, Fatmir Xhafajn.



Dokumenti është një përgjigje zyrtare që Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer parlamentit duke i thënë “Jo” Komisionit Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj për një “vizitë monitoruese” në SPAK, gjoja me idenë e zbatimit të masave për luftën kundër pastrimit të parave.
Me një formulim të prerë, prokurorët e SPAK e cilësojnë nismën si ndërhyrje të paligjshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë kushtetuese të institucionit duke e lënë Xhafajn jashtë dyerve të prokurorisë.
Fillimisht SPAK sqaron se raportimi institucional është kryer dhe vijon të kryhet në mënyrë të rregullt dhe të plotë. Prokurorët vënë në dukje se nga ana e Agjencisë së Inteligjencës Financiare nuk ka pasur asnjë shqetësim konkret, asnjë çështje specifike dhe asnjë problem që të kërkonte një ndërhyrje të jashtëzakonshme parlamentare.
Pastaj vjen thelbi. SPAK i kujton Kuvendit dhe Komisionit Xhafaj se është institucion i pavarur kushtetues, i cili raporton vetëm në përputhje me Kushtetutën, ligjet organike dhe Rregulloren e Kuvendit. Dhe e thotë qartë, pa ekuivok: “Prokuroria e Posaçme nuk mund të ‘monitorohet’ dhe nuk njeh legjitimitetin e kësaj praktike”.
Çdo përpjekje për vizita të tilla monitoruese, thuhet në dokument, “do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme”, një pavarësi që nuk është thjesht një parim formal, por “kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit”.
Në përfundim, SPAK shpreh hapur mosdakordësinë për realizimin e vizitës së planifikuar nga Komisioni Xhafaj që ishte planifikuar të zhvillohej në datën 6 shkurt 2026, duke e konsideruar atë “në kapërcim të ligjit dhe cenim të pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme”.
Ringjallja e komisionit “Xhafaj” për ndërhyrje në SPAK
Përpjekja për të organizuar një vizitë “monitorimi” në SPAK është vazhdimësi e misionit të parë që iu ngarkua Fatmir Xhafajt rreth një vit e gjysëm më parë.
I ashtuquajturi “Komision antikorrupsion”, sipas Ramës dhe Xhafajt do të shërbente për të adresuar një sërë problematikash, përfshirë edhe ecurinë e reformës në drejtësi, por të dy u akuzuan se kishin një plan për të vënë nën një kontroll më të rreptë drejtësinë. Komision “Xhafaj 1” u përplas me një mur refuzimesh gjatë punës së tij.
Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe më pas edhe organizata të shoqërisë civile refuzuan njëra pas tjetrës të bëheshin pjesë e një procesi që u perceptua gjerësisht si tentativë për kapjen politike të drejtësisë.
Gjykata Kushtetuese e argumentoi refuzimin me faktin se pjesëmarrja e saj do të përbënte konflikt funksional, ndërsa SPAK deklaroi atëherë se “nuk e konsideron të nevojshme pjesëmarrjen me ekspertë”. Edhe Bashkimi Europian, në mënyrë të tërthortë por të qartë, e ftohu këtë iniciativë, duke e lënë komisionin pa mbështetje reale dhe pa legjitimitet ndërkombëtar.
Komisioni “Xhafaj 1” u shua në heshtje, pasi u izolua nga organet e drejtësisë por edhe nga diplomacia. Sot është ringjallur me një version të dytë, me një pretekst tjetër, por me të njëjtin qëllim: të hapë një kanal presioni ndaj SPAK në një moment kritik.
Bllokimi i SPAK për arrestimin e Ballukut dhe dosja e AKSHI-t
Nisma për të bërë një vizitë monitoruese në SPAK është ndërmarrë në datën 18 dhjetor të vitit të kaluar, pra dy ditë pasi prokurori Dritan Prençi dorëzoi në parlament kërkesën për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.
Pikërisht hetimet ndaj Ballukut, pezullimi i zv.kryeministres, dosja e AKSHI, fletë-arresti për Ergys Agasin, janë sinjalet më të forta që SPAK i ka dërguar pushtetit duke krijuar një situatë të re politike.
Një situatë ku Edi Rama i ka harruar elozhet që i thurte dikur drejtësisë së re, të cilën e quante një “reformë historike” që bëhej për herë të parë dhe që kishte garancinë dhe mbështetjen pa kushte të Partisë Socialiste.
Me dosjet e fundit, loja ka ndryshuar. Partia Socialiste është kthyer në “rifugio” të Belinda Ballukut. Deputetët socialistë në kuvend zvarrisin në mënyrë të paprecedent kërkesën për arrestimin e saj, në anën tjetër ankimohet në Gjykatën Kushtetuese vendimi për pezullim si zv.kryeministre dhe ndërkohë, ecet para me tentativën për ta rrethuar SPAK me mekanizma parlamentarë, komisione, “monitorime” apo dialog institucional të kontrolluar.
Praktika të dështuara një herë, por që ringjallen për t’i vënë një vijë të kuqe të hetimeve me aferat korruptive. Duket sikur SPAK nuk po bën hapa pas, por si çdokush edhe aty ka një pikë të dobët, fuqia e prokurorëve buron tërësisht nga vullneti i ambasadave perëndimor dhe në kushtet kur Rama po lëviz çdo fije të mundshme në diplomaci, duke u shpallur sot mysliman, nesër katolik dhe ditën tjetër çifut, mbetet sërish pyetja: Deri kur?
Po ndodh...
Rama dhe Berisha “rrëzohen” nga rasti Dodik
ide
Vetmia e madhe e Perëndimit dhe demokracisë liberale
Paratë e korrupsionit po blejnë kohë politike.
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
