Lavrov kritika Gjermanisë për rritjen e fuqisë ushtarake: Kanë të njëjtin qëllim si Hitleri, nazizmi po ringjallet

27 Shtator 2025, 23:00 / BOTA ALFA PRESS

 

Lavrov kritika Gjermanisë për rritjen e fuqisë ushtarake:

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, kritikoi “retorikën ushtarake” të Gjermanisë, duke e akuzuar se synon të udhëheqë riarmatosjen evropiane, duke iu referuar edhe të kaluarës naziste të Gjermanisë.

“Në lidhje me militarizimin e Gjermanisë, ne kemi shprehur disa herë shqetësimet tona shumë të thella,” tha Lavrov në një konferencë për shtyp në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Ky nuk është vetëm një proces i vazhdueshëm riushtarakizimi. Ekzistojnë edhe shenja të qarta të ringjalljes së nazizmit,” shtoi ai. “Pse po ndodh kjo? Ndoshta për të njëjtin qëllim që kishte Hitleri: të nënshtrojë gjithë Europën dhe të përpiqet të shkaktojë një humbje strategjike të Bashkimit Sovjetik atëherë, dhe të Rusisë sot,” vijoi ministri i Jashtëm rus.

Që prej ardhjes në pushtet të konservatorit Friedrich Merz si kancelar, Gjermania ka synim të bëhet forca kryesore e riarmatosjes evropiane, duke marrë parasysh kërcënimin rus dhe distancimin amerikan.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi të enjten se deri në vitin 2030 do të investohen 35 miliardë euro për “arkitekturën e sigurisë” në hapësirë, pasi Rusia dhe Kina përbëjnë kërcënim të rëndësishëm edhe në këtë fushë.

Ai gjithashtu paralajmëroi se vendi do të futet në “garën e armëve” në sektorin e dronëve pa pilot.

Po atë ditë, ushtria gjermane nisi gjithashtu stërvitje tre-ditore në Hamburg, me skenarin e një përshkallëzimi ushtarak në kufijtë e vendeve baltike, fqinjë të Rusisë.

“Kancelari gjerman deklaroi me krenari se synimi i tij është ta bëjë Gjermaninë, përsëri, fuqinë kryesore ushtarake në Evropë,” tha Lavrov. “Dhe kur dikush në një vend që ka kryer krime naziste, fashiste dhe Holokaustin (…) pretendon se Gjermania duhet të bëhet sërish një fuqi e madhe ushtarake, kjo tregon për një kujtesë të dobët historike, dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme,” përfundoi ai.

 

Po ndodh...

ide