Nafta botërore bllokohet në Hormuz, sa sfiduese është të mundësohet lundrimi i sigurt?

Sfiduese është të mundësohet lundrimi i sigurt? Pentagoni po shqyrton mënyra për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, tha të martën kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, Dan Caine.
Rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror në botë kalon normalisht përmes kësaj ngushtice, por Irani, që shtrihet përgjatë brigjeve të saj veriore, e ka bllokuar praktikisht atë. Sipas të dhënave të OKB, trafiku në këtë rrugë detare ka rënë me 97% që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.
SHBA po përpiqet të qetësojë tregjet e naftës, të cilat druhen se një luftë e zgjatur mund të shkaktojë një krizë globale energjetike.
“Situata aktuale e sigurisë në Gjirin Persik është shumë komplekse. Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit nisën rreth një javë më parë dhe duket se po vazhdojnë pa ndërprerje. Irani ka reaguar me kundërpërgjigje, jo vetëm ndaj sulmuesve, por edhe ndaj vendeve të treta në rajon, përfshirë vendet e Gjirit, si dhe me disa sulme ndaj anijeve tregtare. Në këtë situatë, për kompanitë e transportit detar apo kapitenët e anijeve që operojnë në atë zonë, është shumë e vështirë të kuptojnë çfarë po ndodh, nëse duhet të vazhdojnë lëvizjen, të qëndrojnë në vend apo nëse është ende ekonomikisht e mundur të kryejnë punën e tyre.”
Ngushtica e Hormuzit është një korridor i ngushtë detar mes Iranit dhe Omanit, që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit. Ai është dalja e vetme detare për eksportet e naftës dhe gazit të vendeve prodhuese si Kuvajti, Irani, Iraku, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Çmimet e naftës u rritën përkohësisht të hënën në nivelin më të lartë që nga viti 2022. Sipas OKB, një rritje e madhe e çmimeve mund të shkaktojë një tjetër krizë të kostos së jetesës, si ajo që pasoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Një konflikt i zgjatur mund të shkaktojë gjithashtu një goditje në tregun e plehrave kimike, duke rrezikuar sigurinë ushqimore globale. Sipas kompanisë analitike Kpler, rreth 33% e plehrave kimike në botë, përfshirë sulfurin dhe amoniakun, kalojnë përmes kësaj ngushtice.
Një luftë e gjatë mund të rrisë edhe frikën për një krizë ekonomike globale të ngjashme me goditjet e naftës në Lindjen e Mesme në vitet 1970.
“Presidenti Trump ka sugjeruar në disa raste mënyra të ndryshme për të siguruar që tregtia, veçanërisht furnizimet me energji si nafta dhe gazi, të vazhdojnë të kalojnë përmes Gjirit. Një nga opsionet është shoqërimi i anijeve me eskortë ushtarake në Ngushticën e Hormuzit. Por kjo varet nga niveli i kërcënimit që vazhdon të ekzistojë. Ky kërcënim po reduktohet gradualisht me operacionet ushtarake. Së fundmi kemi dëgjuar se amerikanët kanë fundosur rreth 16 mjete detare që mund të përdoren për vendosjen e minave në këtë ngushticë.”
Po çfarë ka kërcënuar Irani? Republika Islamike paralajmëroi se çdo anije që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit mund të bëhet objekt sulmi. Që nga fillimi i konfliktit janë sulmuar të paktën mbi 14 anije.
Megjithatë, shumica e trafikut është ndalur, jo vetëm për shkak të rrezikut, por edhe sepse kompanitë e sigurimit kanë rritur primet deri në 300%.
“Në rastin e Iranit, vendi nuk ka pasur kurrë një flotë të fuqishme detare për operacione të mëdha oqeanike si ato të flotave perëndimore, të SHBA-së, Britanisë apo Francës. Në vend të kësaj, ai është fokusuar në mekanizma mbrojtjeje lokale dhe në strategjinë e pengimit të hyrjes së kundërshtarit në një zonë të caktuar. Kjo do të thotë në praktikë ta bësh shumë të vështirë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Për këtë përdoren disa mjete: bateri artilerie bregdetare, raketa bregdetare kundër anijeve, forca ajrore që mund të godasë objektiva detare, shumë mjete të vogla detare që veprojnë në grup për të mbingarkuar sistemet e mbrojtjes së anijeve perëndimore, si dhe dronë dhe mina detare.”
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më 3 mars se SHBA do të sigurojë mbrojtje për cisternat e naftës që kalojnë përmes ngushticës.
Ai tha gjithashtu se ka urdhëruar Korporatën e Zhvillimit Financiar të ofrojë garanci dhe sigurime për kompanitë e transportit detar.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se disa vende europiane, së bashku me India dhe shtete të tjera aziatike, po planifikojnë një mision të përbashkët për mbrojtjen e anijeve. Megjithatë, sipas tij, një operacion i tillë mund të realizohet vetëm pasi konflikti të përfundojë.
Ndërkohë, Franca po dërgon rreth mbi 10 anije luftarake, përfshirë një grup aeroplanmbajtëse, në Mesdheun Lindor, në Detin e Kuq dhe potencialisht edhe në Ngushticën e Hormuzit.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka diskutuar me liderët e Gjermanisë dhe Italisë opsione për mbështetjen e transportit tregtar në këtë korridor detar.
“Kur njerëzit mendojnë për operacione eskorte ose konvojesh detare, zakonisht imagjinojnë një pamje shumë specifike: një rresht të gjatë cisternash nafte me një anije luftarake përpara dhe një tjetër pas, që lëvizin bashkë për të mbrojtur tregtinë. Kjo ndodhte gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndoshta edhe gjatë luftës së tankerëve mes Iranit dhe Irakut në vitet ’80. Por sot bota është ndryshe dhe teknologjia ka ndryshuar. Prandaj termi më i përshtatshëm sot është ‘eskortë’ ose ‘mbrojtje’. Kjo nënkupton një mbrojtje me disa shtresa: mbikëqyrje satelitore, patrullime ajrore me mjete me dhe pa pilot, si dhe anije në sipërfaqe që krijojnë një panoramë të plotë të situatës. Ky informacion duhet të ndahet edhe me kompanitë e transportit detar që të dinë se çfarë po ndodh në Gjirin Persik.”
Pse është kaq e vështirë të mbrohet kjo ngushticë?
Ngushtica e Hormuzit është një zonë shumë e vështirë për t’u mbrojtur. Korridoret e lundrimit janë vetëm dy milje detare të gjera dhe anijet duhet të bëjnë kthesa pranë ishujve iranianë dhe një vije bregdetare malore që i jep mbulim forcave iraniane.
“Ka raste kur anijet që lëvizin nga një pikë në tjetrën duhet të kalojnë përmes një ngushtice, një lloj ‘gryke shisheje’. Një shembull i njohur është Kanali Anglez, por atje ekziston një rrugë alternative, edhe pse më e gjatë. Ndërsa në rastin e Ngushticës së Hormuzit situata është ndryshe. Ajo është ndoshta pika më e rëndësishme strategjike në botë për tregtinë e energjisë dhe nuk ka rrugë tjetër për ta anashkaluar. Ngushtica është rreth 20 milje e gjerë në pikën më të ngushtë dhe në njërën anë është Irani, ndërsa në anën tjetër janë Omani dhe Emiratet. Nëse anijet duan të arrijnë destinacionin e tyre, duhet patjetër të kalojnë përmes saj.”
Edhe pse marina konvencionale e Iranit është dobësuar, Garda Revolucionare e Iranit vazhdon të ketë një arsenal të madh: mjete të shpejta sulmuese, mjete detare pa pilot, nëndetëse të vogla, mina detare dhe madje edhe mjete shpërthyese të improvizuara.
Sipas Qendrës për Rezistencën e Informacionit, Irani ka kapacitet të prodhojë rreth 10 mijë dronë në muaj.
Sipas ish-komandantit të Marinës Mbretërore britanike Tom Sharpe, eskortimi i tre ose katër anijeve në ditë përmes ngushticës do të ishte i mundur në afat të shkurtër me shtatë ose tetë destrojerë që sigurojnë mbulim ajror. Por një operacion i tillë për muaj të tërë do të kërkonte shumë më tepër burime.
Edhe nëse kapaciteti i Iranit për raketa balistike, dronë dhe mina detare do të shkatërrohej, anijet do të përballeshin ende me kërcënimin e sulmeve vetëvrasëse, paralajmëron Adel Bakawan.
Eksperti Kevin Rowlands thotë se nëse lufta vazhdon për disa javë, një formë eskorte ndërkombëtare ka shumë gjasa të organizohet.
“Bota ka nevojë që nafta nga Gjiri të vazhdojë të rrjedhë drejt tregjeve, ndaj po bëhen plane për të vendosur masa mbrojtjeje,” tha ai.
“Nga këndvështrimi europian, Europa ka interesa ekonomike dhe strategjike në këtë rajon, si dhe aleanca dhe partneritete të rëndësishme. Britania dhe Franca kanë një histori të gjatë pranie në rajon dhe mund të luajnë një rol, ashtu si edhe vende të tjera të Europës Perëndimore që kanë kapacitetet e nevojshme. Por pyetja është nëse duhet të ndërhyjnë ata apo nëse është më e përshtatshme që mbrojtjen ta sigurojnë vetë vendet e rajonit. Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, Arabia Saudite, Bahreini dhe Katari kanë një interes të drejtpërdrejtë, sepse bëhet fjalë për naftën dhe linjën e tyre jetike të eksportit. Ata kanë gjithashtu forca detare dhe ajrore të afta që mund të kontribuojnë në këtë mbrojtje.”
Rebelët Houthi në Jemen, aleatë të Iranit, arritën të bllokonin për më shumë se dy vjet pjesën më të madhe të trafikut në Detin e Kuq dhe në Ngushticën e Bab al-Mandab, në rrugën drejt Kanalit të Suezit, pavarësisht mbrojtjes nga forcat amerikane dhe europiane.
Shumica e kompanive detare vazhdojnë të përdorin rrugën shumë më të gjatë rreth majës jugore të Afrikës.
“Në të kaluarën kemi pasur disa shembuj të operacioneve të eskortës. Në vitet ’80, gjatë luftës së cisternave mes Iranit dhe Irakut, disa anije që hynin dhe dilnin nga Gjiri u riregjistruan nën flamuj të vendeve të tjera, përfshirë Kuvajtin, për të marrë mbrojtje ligjore. Më pas anijet luftarake i shoqëronin ato në zonat më të rrezikshme. Në vitet 2000 dhe 2010, gjatë periudhës së piraterisë somaleze, zona e Gjirit të Adenit ishte shumë e rrezikshme për anijet që kalonin drejt Detit të Kuq. Atëherë u përdorën patrullime, anije luftarake dhe ekipe sigurie në bord për të mbrojtur anijet. Më së fundmi, që nga viti 2023, kemi parë situatën në Bab el-Mandeb dhe në jug të Detit të Kuq, ku rebelët Houthi në Jemen kanë sulmuar anije tregtare. Atje kemi parë përdorimin e dronëve, mbikëqyrje satelitore dhe edhe sulme me rreze të gjatë kundër zonave nga ku niseshin sulmet.”
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite janë përpjekur të gjejnë rrugë alternative duke ndërtuar më shumë tubacione nafte për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit. Por këto projekte nuk janë ende plotësisht funksionale dhe një sulm i milicisë Houthi ndaj një tubacioni saudit në vitin 2019 tregoi se edhe këto alternativa mbeten të cenueshme.
“Kompanitë e transportit detar dhe ato të prodhimit të naftës janë biznese private që operojnë për të fituar para. Për të transportuar mallra nëpër botë, anijet dhe ngarkesat duhet të jenë të siguruara. Si në çdo sektor tjetër, kompanitë e sigurimeve vlerësojnë rrezikun. Nëse rreziku është shumë i lartë dhe primet e sigurimit bëhen aq të shtrenjta sa nuk ka më kuptim ekonomik të vazhdosh aktivitetin, atëherë kompanitë thjesht ndalojnë operimin. Prandaj është e rëndësishme që shtetet, kompanitë detare dhe kompanitë e energjisë të bashkëpunojnë, të ndajnë informacion dhe praktikat më të mira, si dhe të punojnë ngushtë me kompanitë e sigurimeve për të stabilizuar tregun.”
Ndërsa lufta vazhdon, një nga arteriet më të rëndësishme energjetike të planetit mbetet në rrezik.
Dhe për sa kohë që nafta e Gjirit Persik është jetike për ekonominë globale, Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat ku çdo përshkallëzim mund të tronditë tregjet dhe stabilitetin ekonomik në gjithë botën.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128