“Nuk shpresoj për falje nga Macron!”- Ish-presidenti francez flet pas dënimit me 5 vite burg: S’pranoj faj për diçka që nuk e kam bërë!

27 Shtator 2025, 23:18 / BOTA ALFA PRESS

“Nuk shpresoj për falje nga Macron!”- Ish-presidenti francez

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, deklaroi se në asnjë rrethanë nuk shpreson të marrë falje presidenciale pas dënimit me pesë vite burg.

Në një intervistë që do të publikohet të dielën, ai thotë se qëllimi i tij është të dëshmojë “ndershmërinë” e tij.

Çështja e financimit të paligjshëm të fushatës presidenciale të Sarkozy-t nga Libia e Muammar Gaddafit, e cila ka tronditur për vite politikën dhe opinionin publik francez, përfundoi të enjten me një vendim të rëndë nga Gjykata Penale e Parisit.

Ish-presidenti u shpall fajtor për “komplot kriminal” në periudhën 2005–2007 dhe u dënua me 5 vite burg, si dhe me një gjobë prej 100 mijë eurosh. Atij iu hoqën për pesë vjet të drejtat politike dhe u ndalua të kandidojë në zgjedhje gjatë së njëjtës periudhë.

Gjykata e shpalli atë të pafajshëm për disa akuza të tjera të rënda, përfshirë shpërdorimin e fondeve publike libiane, ryshfet pasiv dhe financim të paligjshëm të fushatës.

I pyetur nga gazeta Journal du Dimanche nëse pret një falje nga presidenti Emmanuel Macron, Sarkozy u përgjigj prerë: “Në asnjë mënyrë.”

“Për të marrë falje, duhet të pranosh dënimin dhe, rrjedhimisht, fajësinë tënde. Unë nuk do ta pranoj kurrë fajin për diçka që nuk kam bërë. Do të luftoj deri në frymën time të fundit që të njihet ndershmëria ime,” deklaroi ai, duke shtuar me vendosmëri: “Do të fitoj.”

Falja presidenciale zbatohet vetëm për vendime gjyqësore të formës së prerë dhe ekzekutueshme, çka aktualisht nuk është rasti, pasi Sarkozy ka bërë apel ndaj vendimit.

Në intervistën e gjatë, Sarkozy iu referua edhe një dokumenti të publikuar nga faqja Mediapart në vitin 2012, i cili çoi në hapjen e hetimeve. Fjala është për një shënim në arabisht që fliste për një marrëveshje për mbështetje të fushatës së tij presidenciale. Sipas kryetarit të trupit gjykues, “skenari më i mundshëm është që ky dokument është i falsifikuar.”

“Nëse ka falsifikim, do të thotë se ka falsifikatorë, njerëz që manipulojnë, pra një komplot,” tha Sarkozy. “Në një botë normale, gjithë dosja duhet të kishte rënë. Por gjykata bëri të kundërtën,” shtoi ai.

I pyetur për dënimin me burg pa pezullim, ai u shpreh i tronditur: “Prisja gjithçka, por jo këtë. Janë shkelur të gjitha kufijtë e shtetit të së drejtës.”

Sipas një burimi pranë çështjes, Sarkozy është thirrur të paraqitet në gjykatë më 13 tetor, kur do të caktohet data e nisjes së vuajtjes së dënimit. Një tjetër burim gjyqësor tha për agjencinë franceze të lajmeve (AFP) se ish-presidenti (2007–2012) do të futet në burg “relativisht shpejt” pas kësaj seance.

 

Po ndodh...

ide