Pas kërcënimeve të Hamasit për pengjet, Izraeli bombardon jugun e Gazës

11 Dhjetor 2023, 09:26 / BOTA ALFA PRESS

Pas kërcënimeve të Hamasit për pengjet, Izraeli bombardon

Izraeli e ka bombarduar të hënën qytetin kryesor të jug të Gazës, Han Junis, pasi grupi palestinez Hamas, ka paralajmëruar se asnjëri prej pengjeve izraelite nuk do të largohet gjallë prej territorit, derisa t’i përmbushën kërkesat për lirim të të burgosurve.

Hamasi, grupi radikal që udhëheq Gazën, është shpallur grup terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Hamasi e ka nxitur këtë luftë, pasi ka kryer sulmet më vdekjeprurëse ndonjëherë në tokën izraelite, më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, sipas të dhënave izraelite, dhe duke marrë rreth 240 pengje, që i ka dërguar në Gazë. Izraeli është përgjigjur me ofensivë ushtarake, e cila e ka shndërruar një pjesë të mirë të Gazës në gërmadhë, dhe ka vrarë rreth 17.990 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Sipas tyre, dhjetëra njerëz janë vrarë të hënën, si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, derisa ushtria izraelite ka raportuar për nisjen e raketave nga Gaza drejt Izraelit.

Hamasi ka paralajmëruar të dielën që nuk do t’i dorëzojë gjallë pengjet, pa një shkëmbim të të burgosurve palestinezë dhe “negociata për rezistencën”. Izraeli ka thënë se janë ende 137 pengje në Gazë, derisa aktivistët kanë thënë se 7.000 palestinezë janë ende në burgjet izraelite. Bombardimet e nisura prej 7 tetorit, dhe ofensiva tokësore, e kanë shtyrë sistemin shëndetësor në Gazë drejt kolapsit, pasi shumica e spitaleve nuk janë funksionale dhe gati dy milionë njerëz janë të zhvendosur.

 

Po ndodh...