Si do të funksionojë Bordi i Paqes për qeverisjen e Gazës

21 Janar 2026, 23:10 / BOTA ALFA PRESS

Si do të funksionojë Bordi i Paqes për qeverisjen e Gazës

Bordi i Paqes prezantohet si një strukturë ndërkombëtare me mision ndërtimin e paqes, garantimin e stabilitetit dhe rindërtimin e territoreve të prekura nga lufta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e tij themeluese.

Anëtarësimi i shteteve realizohet përmes një ftese nga kryetari i Bordit dhe konfirmohet me njoftim formal të pëlqimit. Shtetet anëtare përfaqësohen nga Kreu i Shtetit ose Kreu i Qeverisë. Karta garanton sovranitetin e vendeve pjesëmarrëse, duke parashikuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe nuk mund të detyrojë asnjë vend të marrë pjesë në misione pa pëlqimin e tij të shprehur.

Mandati i shteteve anëtare është trevjeçar, me mundësi rinovimi nga kryetari i Bordit. Përjashtim bëjnë vendet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë amerikanë në vitin e parë nga hyrja në fuqi e Kartës, për të cilat ky afat nuk zbatohet.

Anëtarësimi mund të përfundojë me mbarimin e mandatit, me tërheqje vullnetare, me vendim të kryetarit ose në rast të shpërbërjes së Bordit. Megjithatë, një shtet i larguar mund të ftohet sërish për t’u bashkuar.

Struktura drejtuese përfshin një kryetar, Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet merren me shumicë votash, por kërkojnë konfirmimin e kryetarit, i cili ka edhe të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.

Financimi i Bordit do të sigurohet përmes kontributeve vullnetare vjetore të vendeve anëtare, si dhe përmes llogarive të posaçme të dedikuara për misionet e paqes dhe rindërtimit.

Po ndodh...

ide