Statuja gjigande e Stalinit vendoset në zemër të Moskës

23 Maj 2025, 13:59 / BOTA ALFA PRESS

Statuja gjigande e Stalinit vendoset në zemër të Moskës

Në stacionin e njohur të metrosë Taganskaya në kryeqytetin rus, është vendosur një statujë e re në madhësi reale e diktatorit sovjetik Josif Stalin, duke ngjallur reagime dhe duke nxitur një debat të gjerë mbi qasjen e Kremlinit ndaj të kaluarës totalitare të vendit.

Skulptura, e titulluar “Mirënjohja e Popullit ndaj Udhëheqësit-Komandantit”, paraqet Stalinin të rrethuar nga punëtorë dhe fëmijë që e shohin me adhurim. Ajo u përurua si një “dhuratë për pasagjerët” nga sistemi i metrosë për të shënuar 90-vjetorin e themelimit të kompanisë. Megjithatë, mungesa e çdo reference ndaj krimeve të regjimit të tij ka shkaktuar kritika të forta nga aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë.

Statuja është një kopje e një monumenti të vitit 1950, që u vendos për të nderuar rolin e Stalinit në Luftën e Dytë Botërore. Statuja u hoq në vitet 1960 gjatë periudhës së destalinizimit. Rikthimi i saj në një vend publik kaq të dukshëm shihet nga shumë analistë si një shenjë e tendencës në rritje të qeverisë ruse për të rehabilituar figurën e ish-diktatorit.

Nën regjimin aktual, shteti shihet si i shenjtë dhe i pagabueshëm. Prandaj, kritika ndaj Stalinit po zbehet gjithnjë e më shumë”, deklaroi Yan Rachinsky, aktivist i të drejtave të njeriut dhe anëtar i organizatës “Memorial”, e cila është përqendruar në dokumentimin e krimeve të regjimit stalinist. Sipas tij, kjo qasje përputhet me vizionin e presidentit Vladimir Putin, i cili ka theksuar në të kaluarën se Rusia duhet të jetë krenare për historinë e saj, pa ndjenja faji për të kaluarën.

Reagimet nga qytetarët janë të ndara. Disa e shohin statujën si një simbol të lavdisë kombëtare dhe një vlerësim për historinë. “Është e bukur dhe e rëndësishme për kulturën dhe artin tonë,” u shpreh një qytetare e moshuar. Një tjetër qytetar tha: “Kjo është historia jonë, duhet ta pranojmë.”

Por të tjerë janë thellësisht të shqetësuar. “Çfarë të mendojnë? Ai ishte një gjakpirës! Si mund të vendosin një statujë të tillë këtu, në qendër të Moskës?” tha një grua e revoltuar.

Vendosja e monumentit të ri në një nga vendet më të frekuentuara të Moskës shënon një hap të qartë në drejtim të rivlerësimit të figurës së Stalinit, një proces që po zhvillohet gradualisht prej vitesh në qytete të vogla të Rusisë, por që tani ka arritur në zemër të kryeqytetit.

Ndërsa tmerret e regjimit të tij mbeten jashtë përmendjes në monument, duket se qasja e qeverisë ruse po synon të zbutë kujtesën kolektive, duke nxjerrë në pah lavdinë ushtarake dhe industriale të epokës staliniste.

Po ndodh...