USAGM pranon t’i lëshojë Radios Evropa e Lirë një pjesë të grantit

25 Mars 2025, 12:53 / BOTA ALFA PRESS
USAGM pranon t’i lëshojë Radios Evropa e Lirë një

Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM) u zotua se do t’i lëshojë Radios Evropa e Lirë një pjesë të fondeve që i janë ndarë nga Kongresi, pak para seancës së planifikuar gjyqësore për këtë çështje.

Vendimi do të thotë se Radio Evropa e Lirë do të marrë 7.46 milionë dollarë - shumë kjo që mbulon periudhën nga 1 marsi deri më 14 mars.

“Ne shpresojmë se lëshimi i menjëhershëm i fondeve të vlefshme për dy javë, që Kongresi ia ka ndarë REL-it, do të na i mbajë dritat ndezur derisa gjykata të marrë vendim për çështjen në tërësi”, tha presidenti dhe shefi ekzekutiv i REL-it, Stephen Capus, në një komunikatë.

“Ne kemi besim se ligji është në anën tonë, sepse Kushtetuta e SHBA-së i jep Kongresit pushtet ekskluziv për kuletën. Është e jashtëligjshme të na mohohen fondet që Kongresi tashmë ia ka ndarë REL-it për pjesën e mbetur të vitit fiskal”, shtoi ai.

“Agjencia ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm administrativë për të iniciuar disbursimin”, tha USAGM-ja në një letër bashkëngjitur dosjes gjyqësore.

Shpërndarja e fondeve u tha se do të bëhet deri më 26 mars, ndërsa Radio Evropa e Lirë do t’i marrë ato deri në fund të muajit.

Radio Evropa e Lirë, javën e kaluar, ngriti padi kundër USAGM-së, për shkak të bllokimit të fondeve të miratuara nga Kongresi.

Gjykata e Qarkut e SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë i dëgjoi të hënën argumentet e të dyja palëve.

Abigail Stout, avokate e Departamentit të Drejtësisë, e cila përfaqëson USAGM-në, tha se marrëveshja e grantit ndërmjet USAGM-së dhe Radios Evropa e Lirë - siç thuhet në Aktin e Transmetimeve Ndërkombëtare - i jep agjencisë të drejtën ta ndërpresë marrëveshjen, nëse Radio Evropa e Lirë dështon të veprojë në përputhje me dispozitat e përshkruara në të.

"Statuti, në fakt, parashikon që agjencia mund ta ndërpresë grantin", tha ajo.

Në përgjigje, David Zionts, një nga avokatët e Radios Evropa e Lirë, tha se "nuk do të kishte kuptim" që Kongresi t'i miratonte fondet dhe agjencitë të vepronin, pastaj, sipas interesave të tyre.

Radio Evropa e Lirë kërkon edhe pjesën e mbetur të grantit për vitin e plotë buxhetor 2025, i cili përfundon më 30 shtator, si dhe një urdhër preliminar nga gjykata për këtë qëllim.

Gjykatësi Royce Lamberth pritet të vendosë për këtë në javët e ardhshme.

Direktiva për ndërprerjen e fondeve për Radion Evropa e Lirë u dha disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi më 14 mars një urdhër ekzekutiv për reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë USAGM-në.

Granti i Radios Evropa e Lirë u ndërpre me një letër, e cila u nënshkrua nga Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së.

Në letër thuhej se “vendimi nuk i zbaton më prioritetet e agjencisë”.

Shpjegime të tjera nuk u dhanë.

Katër ditë më vonë, Radio Evropa e Lirë bëri të ditur se ka paditur USAGM-në, si dhe zyrtarët e agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për të ndërprerë financimin federal të transmetuesit.

“Përfundimi i kontratave të punonjësve tanë të pavarur dhe pezullimi nga puna i punonjësve do t’i pengojnë ndjeshëm aftësitë tona për të dhënë lajme të pacensuruara në 23 vendet ku shërbejmë”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, në dosjen për gjykatën.

Trump - i cili ndërmori disa veprime për zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare, prej se nisi mandatin e dytë në janar - është përplasur qysh në mandatin e parë me USAGM-në për pavarësinë editoriale dhe programet.

Por, mbështetësit e transmetuesve thonë se ata janë një krah i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

“Është jetike që Kongresi ta mbrojë USAGM-në, të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të riafirmojë angazhimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi një grup prej 28 organizatash për lirinë e shtypit dhe gazetarëve nga e gjithë bota, në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë, më 19 mars.

Me të ardhmen e pasigurt të Radios Evropa e Lirë, politikanët e Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë mundësi për ta mbështetur transmetuesin.

USAGM-ja është një agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacioneve në pothuajse 50 gjuhë, për rreth 361 milionë njerëz çdo javë.

Buxheti që ka kërkuar USAGM-ja nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025, është 950 milionë dollarë, për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Sipas dokumenteve të USAGM-së, buxheti i kërkuar për REL-in për vitin 2025 ishte rreth 153 milionë dollarë./ REL

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128