“Burra që urrejnë gratë”, Shqipëria me vrasjet më të larta nga partnerët intimë
Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të vrasjeve të grave duke u llogaritur 1 humbje jete për 100 mijë femra. Pjesa më e madhe e vrasjeve të grave në Shqipëri kryhen pikërisht nga partnerët.
Përgjatë viteve të fundit Shqipëria numëron qindra gra të vrara nga bashkëshortët, partnerët, etërit apo vëllezërit e tyre për arsye nga më banalet, për xhelozi të sëmurë, në kushte të vështira ekonomike, apo se përfliten në lagje për çështje morali.
Shumica e tyre janë ngjarje të paralajmëruara, ku çdokush e di për motrën, mamanë apo fqinjën që rrihet e masakrohet barbarisht. Vriten në fshatra dhe qytete, u përkasin shtresave të ndryshme shoqërore.
Lista e grave të vrara, fatkeqësisht sa vjen e rritet. Shumë prej tyre janë ngjarje që kanë tronditur opinionin publik. Rastet e Kozeta Hyseni, Fildez Kasemi, Erjeta Avdylit, Irena Selit, Aishe Vatës, apo edhe shumë të tjera, mbase me të njëjtën histori po aq të dhimbshme janë pasqyruar dhe kaluar pa shumë bujë dhe pa u vënë re.
E ndërsa ndjesia e hidhur që këto raste kanë lënë në shoqëri ka zgjatur për disa ditë ose muaj, për familjet e tyre këto janë tragjedi, dhimbja e të cilave nuk e njeh kurrë një fund. Në ditën e shënuar të 8 Marsit kushtuar të drejtave të grave, Alfapress.al do të sjell 5 vrasjet më të bujshme në vend ku viktimë fizike mbetën femrat dhe pasojat i vuajtën fëmijët dhe nënat që u veshën me të zeza.
Vrasja në konviktin e Tiranës e vajzës së gjyqtaritë
Një krim makabër tronditi vendin, më 19 Shkurt të vitit 1999. Vajza e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, Kozeta Hyseni u gjet e masakruar me gur në kokë në Qytetin Studenti në Tiranë.
Mbrëmjen e 18 Shtatorit, rreth orës 23:40 minuta, një vajzë i thotë shoqes së ngushtë të Kozetës në korridorin e Godinës 25 ku ajo strehohej, se dikush e kërkonte poshtë. E informuar nga shoqja e dhomës numër 418, Kozeta del në ballkon por nuk shikon askënd. Ashtu siç ishte, zbret dhe nuk kthehet kurrë… Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit ajo gjendet e masakruar me gurë në kokë pranë kinoklubit të Qytetit Studenti.
“Kanë qenë moment shumë të rënda, kam marrë guximin dhe ia kam thënë e kam parë se si një prokuror kaq i fortë te fëmija këputet, dorëzohet”, tregon Shkëlqim Hajdari, ish – prokuror
I pari që u shoqërua për ngjarjen ishte Agim Karafili, me të cilin thuhej se 20-vjeçarja kishte lidhje. Ky njihej si person me precedent penalë. Ai deklaroi se në momentet e krimit ka qenë në banesën e tij. Alibinë e konfirmoi bashkëshortja dhe prindërit e Karafilit. Ndaj tij nuk u ngrit akuzë. Agim Karafili nuk jeton më. Dikush e ekzekutoi vite më vonë…
Në atë kohë, i dyshuar ishte edhe një person i identifikuar me emrin Dritan. Ai shoqërohej me një punonjës policie të quajtur Gëzim Gelaj. Në një rast, Dritani e kishte dhunuar Kozetën dhe kishte tentuar ta përdhunonte…
Aso kohe policia shoqëroi edhe një personazh të njohur të botës së krimit, Indrit Dulen nga Durrësi. Në dosjen hetimore ai përshkruhet si një person me rrezikshmëri të lartë. Ai, ishte gjendur në Qytet Studenti atë mbrëmje bashkë me dy miqtë e tij Dashamir K. dhe Arjan Matohiti, ky i fundit, i ekzekutuar vite më vonë për çështje ende të panjohura…
Sot e kësaj dite, ngjarja është ende e pazbardhur. Nuk dihet nëse ngjarja lidhet me detyrën e babait të viktimës si prokuror, por fakti është që personat e dyshuar, kanë qenë njerëz me precedentë të theksuar penalë.
Vrasja e gjyqtares nga bashkëshorti
Një 39-vjeçare, gjyqtare e shkallës së parë në Shkodër u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Fadil Kasemi 53 vjeç qëlloi mbi gruan e tij, Fildeze Kasemi 39 vjeçe, teksa kjo e fundit po lëvizte me një automjet, Mercedes Benz.
Ngjarja ndodhi pak pas mesditës së kësaj të enjteje, në zonën e ” Xhamllikut ” në kryeqytetin shqiptar ndërsa autori i krimit është vënë në pranga menjëherë. Çifti rezultonte i divorcuar dhe gjyqtarja ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Në korrik të 2015, autori i krimit Fadil Kasemi do të arrestohej nga policia pasi dyshohej se kishte tentuar të vriste Fildezen në sy të fëmijëve në zonën e Golemit.
Sherri mes çiftit kishte nisur pas divorcit ndërsa historia e tyre përfundoi tragjikisht.
Vrasja e Erjeta Avdyli pa autor
Ishte pasditja e 30 marsit të vitit 2000 kur Erjeta Avdyli doli nga ambientet e punës për të mos u kthyer më kurrë në shtëpi. Pas dy muajsh kërkime intensive, më 13 maj, trupi i saj gjendet i dekompozuar në fshatin Romanat. I dyshuari kryesor për ngjarjen ishte bashkëshorti i viktimës, i cili pas disa muajsh u la i lire për mungesë provash.
I ati i të ndjerës, Enes Sokoli u shpreh asokohe se data 30 mars i vitit 2000 është nata më e zezë e jetës time, sepse në atë natë u nda përgjithmonë vajza e tij e dashur.
“Ka qenë e dhunuar gjatë gjithë viteve të martesës së saj, por për hir të fëmijëve, u përpoq të vazhdonte. Në 1998 ajo paraqiti kërkesën për divorc, por bashkëshorti i saj iu ul në gjunjë dhe ajo me zemrën e madhe që kishte e fali. Por dhuna vazhdoi sërish duke arritur kulmin në vitin 2000. Ajo bëri denoncim në shoqatën e grave. Unë i shkruajta një letër Ministrit të Brendshëm në atë kohe se 10 ditë para krimit. I thashë: Parandalo një vrasje!
I moshuari tregon gjithashtu ditët e zeza pas vrasjes së vajzës së tij dhe përpjekjet për të vendosur drejtësi.“U bë një gjyq dhe në kohën kur autori mbahej në burg kishte prova, por prokuroria i shkatërroi vetë ato”, shton ai.
Prindërit fatkeq të Erjetës shprehën bindjen se vrasësi i vajzës së tyre është bashkëshorti i saj dhe askush tjetër.
Irena Seli u nis me traget me bashkëshortin, e reja nuk zbriti kurrë
Irena Seli u zhduk në mënyrë misterioze në Portin e Durrësit mbrëmjen e 15 dhjetorit 2004. Gruaja po udhëtonte me bashkëshortin e saj me tragetin e linjës Trieste-Durrës. Nga dëshmitarët rezultoi se Irena ishte parë duke u ngjitur në traget, por nuk u pa më të dilte. I dyshuari kryesor për ngjarjen ishte bashkëshorti i viktimës, i cili pas disa muajsh u la i lirë për mungesë provash.
Daja i saj, Shefqet Dervishi, i lidhur shumë me të rrëfen se mbesa e tij ka patur zënka martesore. Apeli i tij është të ketë një informacion për Irenën. “U përpoqëm në atë kohë me prokurorinë, por me prokurorinë nuk ia dilnim dot për shkak të korrupsionit dhe e lamë çështjen krejtësisht në dorë të tyre”.
Vrasësi bëri seks para se t’i priste kokën Aishe Vata-s
Shaban Norja i preu kokën të dashurës se tij 18-vjeçare Aishe Vatan në vitin 2016. Disa ditë pas krimit u gjete sëpata, u pak metër larg vendit ku ishte hedhur koka e saj. I moshuari e ka vrarë fillimisht vajzën me armë sipas dëshmive të tij arma është hedhur në lumë. Analizat e ADN-së kane vërtetuar se ai është babai i fëmijës që mbante Aishia.
Mësohet ndërkohe se Norja ka patur edhe një banesë me qira në qytetin e Durrësit të cilën e shfrytëzonte për takime me Aishe Vatën, gjatë kohës që ajo ishte në shkollë.
Profili i 80-vjeçarit përkon me një maniak seksual. Shaban Norja mund të ketë pasur dëshirë për t’u lidhur me vajza të vogla. Kështu deklaroi, prokurori Sokol Nishani. Dosja voluminoze me numër 16 49, me mbi 2000 faqe, zuri një vend kryesor në tavolinën e prokurorit Nishani.
Ndërkohë, Sokol Nishani sqaron me detaje të gjitha provat e grumbulluara, aktet e ekspertizës dhe dëshmitë e dhëna nga autori i krimit, përfshi këtu dhe skenën e plotë të krimit. Nga dëshmitë e dhëna para hetuesve, të paktën në një rast tjetër, ka rezultuar se Norja përgjonte çiftet e tjera kur kryenin marrëdhënie seksuale, gjë që flet për profilin e tij si maniak seksual. Po sipas prokurorit Nishani, vetëm viktima dhe autori i krimit ishin në dijeni të shtatzënisë, dhe se, nga hetimet e deritanishme rezulton që raportet e tyre seksuale kanë qenë shumë normale, me dëshirën e të dyve. “Konkretisht, pështyma dhe gjurmët e gjetura në trupin e 18-vjeçares, në gjoks dhe në pjesë të tjera kanë përkuar plotësisht. Gjithashtu, edhe gjurmët e gjakut dhe të pështymës të gjetura në këmishën e autorit përkonin me gjurmët e gjakut që u gjetën në tutat e vajzës rreth 100 metra larg prej banesës njëkatëshe që Norja kishte nën ruajtje.
Autori, në dëshminë që na ka dhënë, ka thënë që viktimën e ka vrarë me armë zjarri, nga pas kokës, dhe më pas ka bërë prerjen e kokës, duke e shkëputur nga trupi. Nga ekspertiza ka rezultuar se vajza ka një goditje me armë pas koke dhe ka një dalje plumbi në afërsi të syrit të majtë, çka vërteton që është qëlluar me armë zjarri.. Sipas të gjithë raportit mjeko-ligjor, edhe atë natë kanë kryer marrëdhënie seksuale. Asnjë person tjetër nuk e ka ditur që çifti ka qenë duke pritur një fëmijë; as nga familjarët e viktimës dhe as nga ata të autorit. Kjo është e verifikuar nga të gjitha veprimet që prokuroria ka kryer deri tani. Lidhja që kanë pasur me njëri-tjetrin dhe i një fëmije në mes, nuk është ditur nga persona të tjerë. Duke përfituar nga ky fakt, autori ka kryer vrasjen, dhe është munduar të fshehë provat e të mbulojë krimin në një farë mënyre. Sipas akt ekspertimit të nxjerrë nga Prokuroria e Durrësit, mësohet se Ajshe Vata është qëlluar 6 herë me sëpatë nga 80-vjeçari për t’i prerë kokën, u shpreh prokurori
Sipas të dhënave të fundit tregojnë se gratë dhe vajzat janë më të ekspozuara ndaj dhunës.
– 88.8% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë;
– Shqipëria renditet ndër vendet e para në Evropë për vrasjen e vajzave e grave;
– Mbi 150 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri nga bashkëshortët apo të afërm të tyre;
– 64.6% e kanë përjetuar dhunën në familje ose nga partneri;
– Të paktën 8000 gra dhe vajza denoncojnë çdo vit në polici dhunë në marrëdhëniet familjare apo ato afektive me partnerët e tyre;
– 90 përqind e krimeve seksuale kryhen ndaj fëmijëve-vajza;
– 70 % e fëmijëve-vajza përndiqen nga gjuha e urrejtjes online.
Raporti më i fundit “Studimi global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat”, publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), e rendit Shqipërinë ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve, me 0.7 vrasje për 100.000 gra krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Vajzat dhe gratë në Shqipëri përbëjnë thuajse gjysmën e popullsisë me rreth 1,431,714 gra e vajza (INSTAT). Dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Sipas INSTAT dhe UNDP, mbi 53% e tyre, ose rreth 750 mijë gra dhe vajza në Shqipëri, deklarojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetën e tyre viktima të dhunës në familje. Përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha pasi pjesa më e madhe e rasteve nuk denoncohen, për shkak sepse viktimat e shohin dhunën në familje si një çështje private./Alfapress.al
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
