Deklarata/ Trump sërish optimist: SHBA e Teherani në 'bisedime të mira'

27 July 2026, 22:18 / BOTA ALFA PRESS
Deklarata/ Trump sërish optimist: SHBA e Teherani në 'bisedime

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë “bisedime të mira” me Iranin dhe se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje mbi konfliktin mes dy vendeve, por paralajmëroi se sulmet amerikane do të rinisnin nëse negociatat nuk do të sillnin rezultat.

Uashingtoni pezulloi papritur të shtunën një fushatë dyjavore sulmesh ajrore kundër Iranit, në atë që ishte kthesa e fundit strategjike e presidentit amerikan në konfliktin pesëmujor.

“Ne po flasim tani. Po zhvillojmë bisedime të mira... Mendoj se ka një shans të mirë që diçka të ndodhë dhe nëse ndodh, mirë. Nëse jo, do t’i rikthehemi asaj që po bënim dy ditë më parë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One.

Ndryshe nga komentet optimiste të presidentit amerikan, Teherani duket se testoi shpejt armëpushimin e fushatës ushtarake amerikane, pasi Arabia Saudite, Jordania dhe Iraku raportuan sulme me dronë të hënën.

Arabia Saudite njoftoi se kishte rrëzuar dronë që synonin objekte të naftës, përfshirë zona në kryeqytetin Riad. Sipas autoriteteve saudite, dronët ishin lëshuar nga Iraku nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani, ndërsa Rijadi tha se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.

Ndërkohë, aleatët Houthi të Iranit në Jemen deklaruan se kishin sulmuar Tubacionin Lindje-Perëndim, me gjatësi 1,200 kilometra, i cili transporton naftë drejt portit kryesor saudit në Detin e Kuq, Yanbu. Ata e justifikuan sulmin si hakmarrje ndaj asaj që e cilësuan si shkelje të hapësirës ajrore të Jemenit nga dronët sauditë.

Irani ka deklaruar se nuk kërkon të rifillojë bisedimet e paqes me SHBA-në, megjithëse do të ndalojë sulmet e tij për aq kohë sa të vazhdojë armëpushimi i shpallur nga Trump.

Teherani gjithashtu tha se vazhdon të ketë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, rrugën kyçe ujore për furnizimet globale me energji, përmes së cilës Trump ka kërkuar që anijet të mund të kalojnë lirshëm.

Rënia e çmimeve të naftës

Përfundimi i fushatës amerikane, pas 13 netësh radhazi bombardimesh në rritje, si dhe deklaratat e Trump për negociatat me Teheranin, shkaktuan rënie të fortë të çmimeve të naftës.

Nafta Brent, e cila javën e kaluar kaloi përkohësisht mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga maji, ra të hënën me rreth 8.2%, duke zbritur nën 89 dollarë për fuçi. Në një moment, çmimi arriti deri në 87.55 dollarë.

Vendimi i Trump për të pezulluar fushatën ushtarake erdhi pas këshillave nga drejtuesit ushtarakë amerikanë se bombardimet kishin arritur kufirin e asaj që mund të arrinin, sipas një zyrtari amerikan dhe disa raportimeve të mediave në SHBA, shkruan Reuters. 

Po ndodh...