Fluturimet shtrenjtohen në nisje të sezonit veror/ Biletat e avionit, Greqia dhe Shqipëria ndjeshëm mbi mesataren e BE-së
Udhëtimet me avion janë bërë ndjeshëm më të shtrenjta në Shqipëri, pikërisht në periudhën kur nis sezoni veror dhe shtohet kërkesa për fluturime.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, në maj 2026 çmimet e transportit ajror në Shqipëri u rritën me 22.1%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Edhe në qershor shtrenjtimi mbeti i lartë, me një rritje vjetore prej 18.3%.
Ritmi i rritjes në Shqipëri ishte dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian. Në maj, çmimet e fluturimeve në BE u rritën mesatarisht me 8.1%, ndërsa në qershor me vetëm 3.1%. Kjo do të thotë se në qershor shtrenjtimi në Shqipëri ishte gati gjashtë herë më i lartë se mesatarja europiane.
Në maj, rritjen më të madhe mes vendeve të përfshira në të dhënat e Eurostat-it e regjistroi Turqia, me 35.1%. Pas saj renditeshin Belgjika me 33.8%, Kosova me 24.1% dhe Shqipëria me 22.1%. Edhe Greqia shënoi një rritje të fortë prej 18.6%.
Në qershor, rritjen më të madhe e regjistroi Kosova, me 64.4%, e ndjekur nga Gjeorgjia me 32.4%, Belgjika me 28.7%, Islanda me 27.3% dhe Turqia me 24.5%. Shqipëria regjistroi rritje prej 18.3%, ndërsa në Greqi çmimet u rritën me 15.1%.
Brenda Bashkimit Europian, Belgjika kishte shtrenjtimin më të lartë në të dy muajt. Në qershor, rritje të fortë shënoi edhe Austria, me 22.3%.
Eurostat thekson se çmimet e transportit ajror karakterizohen nga luhatje të mëdha, të ndikuara nga sezonaliteti, kërkesa për udhëtime dhe zhvillimet gjeopolitike. Të dhënat tregojnë ndryshimin mesatar vjetor të çmimeve dhe nuk nënkuptojnë se çdo biletë apo destinacion është shtrenjtuar me të njëjtën përqindje./SCAN
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128