Demokracia nuk është llotari. Pse shoqëritë e dëshpëruara kërkojnë mrekulli politike

Revolucioni i Flamingove ka nxitur një debat që shkon shumë përtej fatit të një proteste apo të një qeverie.
Ai ka nxjerrë në pah një pyetje shumë më themelore: si e përfytyrojmë ne ndryshimin politik?
A besojmë se demokracia ndërtohet me durim, pjesëmarrje dhe këmbëngulje, apo presim një moment të vetëm vendimtar triumfal që do të ndryshojë gjithçka?
Studimet tregojnë se kur besimi te institucionet, te meritokracia dhe te përmirësimi gradual dobësohet, rritet prirja për të kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe shpëtimtarë.
Prandaj psikologjia që i shtyn njerëzit të blejnë një biletë llotarie është, në shumë raste, e njëjta psikologji që i shtyn të besojnë te mrekullitë politike.
Në vitin 2005, libri Freakonomics ngriti një pyetje që në pamje të parë dukej paradoksale: pse njerëzit që kanë më pak mundësi ekonomike shpenzojnë proporcionalisht më shumë për llotari dhe lojëra fati?
Intuita do të sugjeronte të kundërtën. Afërmendsh, kush ka më pak para duhet të jetë më i kujdesshëm me to.
Megjithatë, të dhënat tregonin një realitet krejt tjetër nga pritshmëritë e arsyeshme dhe shpjegimi nuk lidhej me matematikën, por me psikologjinë.
Kur njeriu beson se rrugët normale të përparimit janë bllokuar, fillon të kërkojë rrugë të jashtëzakonshme.
Kur puna, arsimi, kursimi apo sipërmarrja nuk duken më si mjete reale për të ndryshuar jetën, një biletë llotarie fillon të duket më racionale sesa është në të vërtetë.
Sa më e vogël të jetë shpresa për përmirësim gradual, aq më e madhe bëhet joshja e mrekullisë.
Prandaj në këtë rast llotaria nuk shet probabilitet por shet shpresë.
Faktikisht ky mekanizëm nuk kufizohet vetëm te ekonomia por shfaqet edhe në politikë.
Në shoqëri të lodhura nga korrupsioni, padrejtësia dhe mungesa e besimit, krijohet e njëjta psikologji.
Njerëzit nuk kërkojnë më ndryshim gradual; ata fillojnë të kërkojnë një "jackpot" politik.
Një protestë që do të rrëzojë qeverinë brenda natës.
Një lider që do të zgjidhë gjithçka me një fjalim.
Një zgjedhje që do të pastrojë menjëherë institucionet.
Një ngjarje dramatike që do ta ndajë historinë në "para" dhe "pas".
Një president apo ambasador të ri amerikan që do e vendosi qeverinë e korruptuar me shpatulla pas murit.
Është një pritshmëri njerëzore por fatkeqësisht pothuajse gjithmonë një pritshmëri e gabuar.
Ky është edhe kurthi me të cilin po përballet sot Revolucioni i Flamingove.
Brenda pak javësh nga nisja e tij, filluan të dëgjoheshin dy lloje reagimesh krejt të kundërta.
Njëra palë e shpalli menjëherë një sukses historik; pala tjetër e shpalli po aq shpejt një dështim, vetëm sepse sistemi nuk u rrëzua brenda pak javësh.
Të dyja gjykimet burojnë nga i njëjti keqkuptim: ideja se protestat duhen matur vetëm nga rezultati i menjëhershëm.
Nëse nuk bie qeveria, atëherë protesta paska dështuar.
Nëse nuk ndryshon gjithçka menjëherë, atëherë paska qenë e kotë.
Kjo është pikërisht logjika e llotarisë politike: ose fitohet "çmimi i madh", ose bileta hidhet në kosh.
Në pamje të parë këto dy qëndrime duken të kundërta.
Në fakt, ato burojnë nga i njëjti keqkuptim, pra nga ideja se protestat duhen matur vetëm nga rezultati i menjëhershëm.
Por demokracitë nuk funksionojnë kështu.
Lëvizjet qytetare nuk janë "gërvish dhe fito" por investime afatgjata në kapitalin demokratik të një shoqërie.
Ato ndryshojnë mënyrën si njerëzit flasin, çfarë konsiderojnë të pranueshme, kë kritikojnë, kujt i kërkojnë llogari dhe çfarë guxojnë të imagjinojnë si të mundur.
Shpesh ndikimi më i madh i një proteste nuk është ai që shihet në fund të javës, por ai që ndihet vite më vonë, kur shoqëria kupton se busulla morale ka filluar të lëvizë në një drejtim tjetër.
Shpesh ndikimi më i madh i një proteste nuk është ai që shihet në fund të javës, por ai që ndihet vite më vonë.
Historia na jep vazhdimisht të njëjtin mësim.
Pothuajse asnjë demokraci nuk është ndërtuar nga një moment i vetëm heroik.
Asnjë sistem i konsoliduar nuk është rrëzuar vetëm nga një protestë apo nga një fjalim.
Përkundrazi, ndryshimet e qëndrueshme kanë qenë rezultat i akumulimit të shumë proceseve të vogla: presion qytetar, reforma institucionale, ndryshime kulturore, alternativa politike dhe një transformim gradual i mënyrës se si shoqëria e sheh pushtetin.
Kjo është ndoshta pjesa më e vështirë për t'u pranuar nga një shoqëri e lodhur.
Sepse shqiptarët kanë plot arsye për të qenë të paduruar.
Kanë parë korrupsion të përsëritur, pandëshkueshmëri, emigrim masiv, institucione të dobëta dhe një ndjenjë të vazhdueshme se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë.
Kur dikush thotë "nuk durojmë më", është e vështirë ta kundërshtosh sepse moralisht, ai ka të drejtë.
Por morali dhe strategjia nuk janë gjithmonë e njëjta gjë.
Një pacient ka të drejtë të kërkojë të shërohet menjëherë.
Kjo nuk do të thotë se mjekësia mund ta bëjë këtë.
Një sipërmarrës ka të drejtë të dëshirojë sukses brenda një muaji.
Kjo nuk do të thotë se tregu funksionon kështu.
Po njësoj, qytetarët kanë të drejtë të duan ndryshim të menjëhershëm.
Por kjo nuk do të thotë se demokracia mund të prodhojë rezultate të qëndrueshme me ritmin e zemërimit apo padurimit tonë.
Madje historia tregon të kundërtën.
Ndryshimet që ndodhin shumë shpejt janë shpesh edhe më të brishta.
Shumë revolucione kanë rrëzuar një elitë vetëm për ta zëvendësuar me një tjetër.
Shoqëritë nuk transformohen vetëm duke ndryshuar njerëzit në krye.
Ato transformohen kur ndryshojnë institucionet, rregullat dhe kultura politike. Dhe kjo kërkon kohë.
Prandaj pyetja e vërtetë nuk është nëse një protestë solli menjëherë rezultatin që prisnim.
Pyetja është nëse ajo e ka bërë shoqërinë më të lirë, më të guximshme dhe më pak të gatshme për të pranuar normalitetin e padrejtësisë.
Nëse përgjigjja është po, atëherë ndryshimi ka filluar, edhe nëse ai ende nuk duket spektakolar.
Kjo është arsyeja pse pesimizmi është po aq i gabuar sa optimizmi naiv.
Nuk ka arsye të besohet se gjithçka do të ndryshojë brenda natës.
Por nuk ka asnjë arsye të thuhet se asgjë nuk po ndryshon vetëm sepse goditja fatlume e shumëpritur nuk ndodhi brenda disa javësh. Shoqëritë që presin shpëtimtarë zakonisht përfundojnë të zhgënjyera.
Janë shoqëritë që ndërtojnë qytetarë ato që kanë shumë më tepër gjasa të ndërtojnë demokraci.
Prandaj, në fund, ndoshta sfida më e madhe nuk është të organizojmë protestën e përsosur apo të presim liderin e përsosur.
Sfida është të heqim dorë nga psikologjia e llotarisë politike e të kuptojmë që demokracia nuk është sprint por maratonë.
Demokracia nuk shpërndan jackpot-e por shpërblen këmbënguljen.
Çdo protestë, çdo debat, çdo votë, çdo denoncim, çdo akt solidariteti dhe çdo refuzim për të normalizuar padrejtësinë është një investim i vogël në një ndryshim të madh.
Në demokraci nuk fitohet me fat apo njerëz të fortë por fitohet me qytetarë ndërtohet nga qytetarë aktivë, të përgjegjshëm dhe të angazhuar, që nuk heqin dorë nga pjesëmarrja, kërkimi i llogarisë dhe mbrojtja e interesit publik.
Po ndodh...
"Besa" e Ramës, një premtim në kohën e gabuar
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128