Deputeti belg: Mbrojtja e Sazanit dhe Vjosë-Nartës duhet të jetë kusht për integrimin në BE
Deputeti belg Michel De Maegd ka deklaruar se protestat 41-ditore në Shqipëri kanë tejkaluar kundërshtimin ndaj projekteve turistike në Sazan dhe Vjosë-Nartë, duke u shndërruar në një kërkesë për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës.
Në një intervistë për EU Perspectives, ai theksoi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nuk duhet të vlerësohet vetëm mbi reformat teknike, por edhe mbi respektimin e vlerave demokratike, mbrojtjen e mjedisit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e institucioneve.
De Maegd bëri të ditur se do t’i kërkojë shpjegime ministrit belg të Jashtëm për zhvillimet në Shqipëri dhe u bëri thirrje institucioneve evropiane të monitorojnë nga afër projektet në zonat e mbrojtura, duke kërkuar transparencë të plotë, vlerësime të pavarura mjedisore dhe respektim të standardeve të BE-së.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë, por pa bërë kompromis me vlerat demokratike. Ai shtoi se protestat paqësore të qytetarëve për transparencë dhe mbrojtjen e mjedisit janë në përputhje me parimet evropiane dhe nuk duhet të shpërfillen.
Protestat nisën 41 ditë më parë kundër planeve për ndërtimin e infrastrukturës turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën Vjosë-Nartë, të dyja zona të mbrojtura natyrore. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti të vetëm, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës.
Artikulli i plote
Michel De Maegd (LE/BEL), anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, ka njoftuar se do të kërkojë shpjegime nga ministri belg i Jashtëm për zhvillimet në Shqipëri. Në një intervistë për “EU Perspectives”, ai argumenton se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të gjykohet jo vetëm nga reformat e realizuara në letër, por edhe nga respektimi i vlerave evropiane.
Ju i përshkruani protestat si më shumë sesa një mosmarrëveshje për një projekt turistik. Çfarë tregojnë ato për gjendjen e demokracisë, transparencës dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri?
Ato tregojnë një kërkesë më të gjerë të qytetarëve shqiptarë për transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës. Shumë njerëz nuk janë domosdoshmërisht kundër zhvillimit ekonomik apo investimeve të huaja si të tilla. Ajo që ata vënë në pikëpyetje është mënyra se si merren vendimet: kush vendos, mbi çfarë baze, me çfarë garancish dhe në interes të kujt.
Shqetësimet e ngritura nga qytetarët janë shqetësime thellësisht evropiane: mbrojtja e mjedisit, konsultimi publik, institucionet e pavarura, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit.
Në këtë kuptim, këto protesta nuk duhet të shihen si pengesë për rrugën evropiane të Shqipërisë. Përkundrazi, ato tregojnë se një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare kërkon një Shqipëri më evropiane, të bazuar në rregulla, të drejta dhe përgjegjshmëri demokratike.
Nuk është roli im të ndërhyj në zgjedhjet e brendshme politike të Shqipërisë, por çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve përmes dialogut, transparencës dhe respektimit të standardeve evropiane.
Ju argumentoni se anëtarësimi i Shqipërisë në BE duhet të gjykohet po aq nga vlerat sa edhe nga reformat teknike. A ka qenë BE-ja mjaftueshëm e vendosur ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, apo ka vendosur përparësi gjeopolitikën mbi standardet demokratike?
Shqipëria është një partnere e rëndësishme dhe perspektiva e saj evropiane duhet të mbështetet. Por mbështetja për zgjerimin nuk duhet të nënkuptojë ulje të standardeve tona.
Anëtarësimi në BE nuk është vetëm një proces teknik. Ai është gjithashtu një çështje vlerash, besimi dhe besueshmërie. Shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e mjedisit dhe kultura demokratike nuk janë çështje dytësore. Ato janë në zemër të projektit evropian.
E kuptoj që BE-ja duhet të marrë parasysh edhe stabilitetin gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor. Por konsideratat gjeopolitike nuk duhet të na bëjnë kurrë të dobët përballë standardeve demokratike.
Nëse qytetarët e një vendi kandidat ndjejnë se BE-ja hesht kur vlerat evropiane janë nën presion, atëherë besueshmëria e procesit të zgjerimit dobësohet.
Mendimi im është i qartë: BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë, por duhet të jetë gjithashtu e vendosur, e qëndrueshme dhe kërkuese.
Protestat janë fokusuar te zhvillimet turistike në zona të mbrojtura, përfshirë Sazanin dhe Vjosë-Nartën. A duhet që Komisioni Evropian ta bëjë mbrojtjen më të fortë të mjedisit kusht për anëtarësimin e Shqipërisë?
Po, mbrojtja e mjedisit duhet të jetë pjesë e kushteve të lidhura me rrugën evropiane të Shqipërisë. Kjo nuk është një çështje dytësore. Mbrojtja e natyrës, biodiversitetit dhe zonave të mbrojtura është pjesë e acquis të Bashkimit Evropian.
Nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të përafrohet me standardet evropiane, përfshirë ato mjedisore.
Në këtë rast, shqetësimet lidhen me zona shumë të ndjeshme, përfshirë ishullin e Sazanit dhe zonën Vjosë-Nartë. Këto nuk janë zona të zakonshme zhvillimi.
Ato kanë vlerë ekologjike dhe simbolike. Përpara se çdo projekt të ecë përpara, duhet të ketë një vlerësim të plotë, të pavarur dhe publik të ndikimit në mjedis.
Gjithashtu duhet të ketë transparencë për investitorët, të drejtat mbi tokën, lejet dhe garancitë për komunitetet lokale.
Investimet e huaja janë të mirëpritura, por duhet të jenë të ligjshme, transparente, të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane.
Një vend kandidat nuk mund të ecë drejt anëtarësimit në BE duke krijuar përshtypjen se zonat e mbrojtura mund të dobësohen ose të anashkalohen për investitorë të fuqishëm.
Ju keni njoftuar se do të kërkoni shpjegime nga ministri belg i Jashtëm. Çfarë duhet të bëjnë konkretisht Belgjika dhe institucionet e BE-së nëse shqetësimet për korrupsionin, mbrojtjen e mjedisit dhe qeverisjen demokratike vazhdojnë?
Belgjika gjithmonë vepron brenda kuadrit evropian, me seriozitet dhe qëndrueshmëri.
Së pari, duhet të kërkojmë transparencë të plotë mbi projektin: investitorët, lejet, çështjet e pronësisë, studimet mjedisore dhe konsultimet publike.
Së dyti, BE-ja duhet të kërkojë një vlerësim të plotë dhe të pavarur të ndikimit në mjedis përpara çdo zhvillimi të pakthyeshëm.
Së treti, Komisioni Evropian duhet të monitorojë nga afër nëse legjislacioni dhe praktikat e Shqipërisë mbeten në përputhje me acquis evropian, veçanërisht për mjedisin, prokurimet publike, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës.
Së katërti, nëse shqetësimet serioze vazhdojnë, BE-ja duhet të bëjë të qartë se disa kapituj të negociatave nuk mund të mbyllen pa respektuar standardet e kërkuara.
Mesazhi duhet të jetë: po për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, por jo në kurriz të shtetit të së drejtës, transparencës apo mbrojtjes së mjedisit.
— Michel De Maegd, deputet belg (LE/BEL)
Kjo nuk ka të bëjë me ndëshkimin e popullit shqiptar. Përkundrazi, ka të bëjë me mbrojtjen e besueshmërisë së së ardhmes së tyre evropiane.
Belgjika duhet të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Shqipërisë, përfshirë përmes angazhimit më të fortë diplomatik, por gjithmonë mbi bazën e meritës, reformave dhe respektimit të vlerave evropiane.
Shumë shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE, por ndjejnë se liderët evropianë kanë reaguar shumë dobët. Çfarë mesazhi do t’u dërgonit atyre që protestojnë sepse besojnë se vlerat evropiane nuk po mbrohen në mënyrë të vazhdueshme?
Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është një mesazh respekti dhe mbështetjeje. Mbështes të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore, për të mbrojtur të drejtat dhe për të kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të mjedisit.
Këto janë kërkesa legjitime. Ato janë gjithashtu kërkesa thellësisht evropiane.
Kur qytearët kërkojnë shtetin e së drejtës, vendimmarrje transparente, mbrojtjen e natyrës dhe institucione të përgjegjshme, ata flasin gjuhën e Bashkimit Evropian.
Dua të jem i qartë: nuk është detyra ime, si deputet belg, të vendos se kush duhet të qeverisë Shqipërinë. Kjo u takon popullit shqiptar dhe institucioneve shqiptare.
Por mund të them se e ardhmja evropiane e Shqipërisë duhet të ndërtohet me qytetarët e saj, jo kundër tyre.
Bashkimi Evropian duhet t’i dëgjojë shqetësimet e tyre. Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë do të thotë të mbështesësh aspiratën e shqiptarëve për të jetuar në një vend të qeverisur sipas standardeve evropiane.
Mobilizimi i tyre nuk duhet të shpërfillet. Ai duhet të kuptohet si një thirrje për një Shqipëri më të fortë, më transparente dhe më evropiane.
Po ndodh...
ide
Të dyzetat e një sistemi antikombëtar!
Protesta nuk ka nevojë për tutorë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128