Dështon marrëveshja për qeverinë e Izraelit, Eisenkot refuzon ofertën e Netanyahut për ndarjen e pushtetit

29 November 2026, 17:34 / BOTA ALFA PRESS
Dështon marrëveshja për qeverinë e Izraelit, Eisenkot

Negociatat për krijimin e një qeverie uniteti në Izrael kanë dështuar. Gadi Eisenkot, rivali kryesor i Benjamin Netanyahut në garën për drejtimin e vendit, ka refuzuar propozimin e kryeministrit aktual për ndarjen e pushtetit përmes një marrëveshjeje me rotacion.

Sipas planit të paraqitur nga Netanyahu, Eisenkot do të merrte fillimisht drejtimin e qeverisë, ndërsa ai vetë do të mbante postin e kryeministrit alternativ, përpara një shkëmbimi të mundshëm të roleve. Megjithatë, takimi i zhvilluar mes tyre të dielën nuk prodhoi asnjë marrëveshje.

Burime pranë negociatave bëjnë me dije se palët nuk arritën të kapërcenin mosmarrëveshjet për çështje themelore, duke vendosur të mos vijonin më tej diskutimet përmes ekipeve negociuese. Gjithashtu, nuk është parashikuar një takim tjetër mes dy liderëve.

Në një deklaratë të përbashkët, partitë “Yashar” e Eisenkotit dhe “Likud” e Netanyahut konfirmuan se biseda nisi me një informim mbi situatën e sigurisë, përpara se të kalonte te mundësia e krijimit të një qeverie uniteti. Të dyja palët u përpoqën të gjenin një pikë të përbashkët, por hendeku mes tyre rezultoi tepër i madh.

 

Gjatë takimit, Eisenkot i bëri të qartë Netanyahut se mbetet i angazhuar në të ashtuquajturin “blloku i ndryshimit”, që synon t’i japë fund drejtimit të gjatë të këtij të fundit në krye të Izraelit.

Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që “Likud” të bëhet pjesë e qeverisë në një fazë të mëvonshme, nëse pranon parimet e përcaktuara nga kampi i tij. Ndër kërkesat kryesore është ngritja e një komisioni shtetëror hetimor për të zbardhur dështimet që lidhen me sulmet e 7 tetorit 2023.

Ngërçi politik vjen pas zgjedhjeve të 27 tetorit, ku blloku i Netanyahut siguroi 53 vende, ndërsa partia e Eisenkotit, së bashku me tri forca të tjera politike, mori 48 mandate. Asnjëri prej kampeve nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 vendesh në parlamentin izraelit, Knesset, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

Një ditë përpara takimit, Netanyahu kishte bërë thirrje për krijimin e një qeverie uniteti, duke e cilësuar atë si “domosdoshmërinë e momentit”. Ai deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë edhe nga drejtimi i menjëhershëm i qeverisë, duke i ofruar Eisenkotit mundësinë për të qenë kryeministër i pari në një marrëveshje me rotacion. Por kjo ofertë nuk mjaftoi për të bindur rivalin e tij.

Tashmë, Eisenkot ka në dorë mundësinë për të formuar shumicën e re qeverisëse dhe për t’i dhënë fund qëndrimit të gjatë të Netanyahut në pushtet. Ai ka afat deri më 20 dhjetor për të paraqitur kabinetin e ri, me mundësinë e një shtyrjeje prej dy javësh. Megjithatë, Eisenkot është shprehur se synon ta çojë qeverinë e re për miratim në parlament që javën e ardhshme.

 

Po ndodh...