Protesta e 28 Nëntorit dhe përdorimi i flamurit si mburojë PR-i nga Policia
Nga Eugen Beçi*
Pamjet e autobotëve të ujit dhe efektivëve me skafandra anti-trazira, të veshur me flamurin kombëtar gjatë protestës së Ditës së Flamurit, përbëjnë një precedent sa domethënës, aq edhe problematik për raportin mes shtetit, ligjit dhe qytetarëve.
Ky gjest nuk është një shprehje e natyrshme e respektit institucional për festën kombëtare, por një shfaqje (show) e kalkuluar dhe fyese ndaj vetë simbolit më të lartë të kombit.
Kur flamuri kombëtar përdoret për të mbuluar mjetet e forcës dhe shpërndarjes së turmave përballë qytetarëve, kemi të bëjmë me një manipulim të pastër të komunikimit publik.
Përtej debatit etik dhe politik, ky veprim bie ndesh drejtpërdrejt me tre shtylla konkrete të legjislacionit shqiptar dhe rregullave protokollare në fuqi:
1. Dalje jashtë standardit ligjor të Policisë së Shtetit: Rregullorja e Uniformës dhe Shenjave Dalluese (miratuar me VKM në zbatim të Ligjit Nr. 82/2024 Për Policinë e Shtetit) përcakton në mënyrë taksative dizajnin grafik të automjeteve dhe uniformave policore.
Sipas këtij standardi, flamuri kombëtar është i integruar në stemën zyrtare të uniformës, dhe jo si një aksesor i improvizuar apo i ngjitur përkohësisht mbi skafandra dhe mjete të ndërhyrjes operative.
2. Cënim i dinjitetit dhe paprekshmërisë së simbolit: Ligji Nr. 8926, datë 22.07.2002 (Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar…) dhe VKM Nr. 473, datë 10.07.2003 përcaktojnë qartë rregullat e përdorimit të flamurit në mjediset publike dhe institucionale, duke ndaluar ekspozimin e tij në rrethana që ulin dinjitetin e simbolit apo e ekspozojnë ndaj ndotjes dhe dëmtimit fizik.
Të çosh flamurin në vijën e parë të një përplasjeje fizike, mbi mjete që presin goditje apo hedhin ujë me presion, është antitezë e detyrimit ligjor për mbrojtjen e tij.
3. Kurth moral dhe menaxhim mediatik i konfliktit: Nga pikëpamja e strategjisë së marrëdhënieve me publikun (PR), ky gjest synon ti vendosë protestuesit në një dilemë artificiale. Duke veshur mjetet e forcës me ngjyrat kuqezi, strukturat drejtuese synojnë që çdo reagim apo përplasje fizike e turmës ndaj autobotëve të shitet në publik dhe media si goditje ndaj flamurit, duke zhvendosur vëmendjen nga arsyet e protestës te simbolika patriotike.
Simbolet kombëtare ekzistojnë për të bashkuar qytetarët nën një identitet dhe shtet të përbashkët ligjor. Ato nuk mund dhe nuk duhet të përdoren as si dekor për mjetet e forcës shtetërore, dhe as si mburojë propagandistike për të legjitimuar ndërhyrjen policore ndaj qytetarëve.
* Avokat, ish-Prokuror
Po ndodh...
ide
Përse duhet të jetë gjithmonë “edhe Lulzim Basha”?
Nëse Protesta do të nxjerr kandidat për Bashkinë, aleat ka vetëm qytetarët!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


