Detaje të reja nga vrasja në Ksamil! Viktima rezulton shtetas portugez, arrestohet një polic dhe shpallet në kërkim pronari i “Principotes”

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku një turist i huaj humbi jetën pas një konflikti në ambientet e lokalit “Principote”.
Ndryshe nga informacionet e para, Policia ka sqaruar se viktima, i cili fillimisht u raportua si shtetas francez, në të vërtetë është shtetas portugez. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet L. V., i datëlindjes 27 shtator 2005.
Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 38 persona, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrethanat dhe dinamikën e konfliktit që përfundoi në mënyrë tragjike.
I dyshuari kryesor për vrasjen është 29-vjeçari Sokrat Vata, i cili punonte si truprojë në “Principote”, përmes kompanisë së sigurisë “Elite Security”. Sipas të dhënave të deritanishme, Vata dhe Moisid Matushaj punonin si bodyguard në ambientet e kompleksit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti nisi gjatë një feste në klubin e natës “La Guerre”, pjesë e kompleksit “Principote”, ku viktima ndodhej së bashku me miqtë e tij. Pas konfliktit, 20-vjeçari dyshohet se është nxjerrë jashtë ambienteve të lokalit nga Vata, në pjesën pas “beach bar”-it, ku më pas është goditur me thikë.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit. Pas rreth pesë orësh, ai është kapur në Levan të Fierit, ndërsa dyshohet se po tentonte të largohej drejt Tiranës i fshehur në bagazhin e një automjeti. Në automjet ndodheshin një grua 31-vjeçare dhe një burrë 38-vjeçar, të dy shtetas turq.
Pikërisht roli i dy shtetasve turq është tashmë pjesë e hetimit. Policia po verifikon nëse ata kanë ndihmuar Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes dhe në çfarë rrethanash ai ka përfunduar në automjetin e tyre.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është ndalimi i Moisid Matushajt, 24 vjeç, banues në Gjirokastër. Matushaj është punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën pas vrasjes, duke lehtësuar largimin e tij nga vendi i ngjarjes.
Në fokusin e hetuesve është edhe 36-vjeçari Bekim Bulica, i cili është shpallur në kërkim. Bulica, i cili është dhe pronari i “Principote”, dyshohet se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës. Policia po verifikon rolin e tij dhe rrethanat në të cilat ai është larguar pas ngjarjes.
Ndërkohë, sipas burimeve të hetimit, pritet që çështja të zgjerohet edhe me persona të tjerë. Krahas të ndaluarve dhe personave të shpallur në kërkim, hetuesit po verifikojnë të gjithë personat që kanë qenë të pranishëm në ambientet e lokalit dhe që mund të kenë dijeni për konfliktin apo largimin e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që në përfundim të veprimeve të para hetimore Policia të japë një informacion më të plotë mbi rrethanat, personat e përfshirë dhe përgjegjësitë e secilit prej tyre.
“Ksamil, Sarandë/Informacion shtesë Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:
Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje”, njoftoi Policia.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128