“Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën”/ Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiç por jo shqiptarëve: U nxor nga konteksti

16 July 2026, 13:34 / KOSOVA ALFA PRESS

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç ka kërkuar falje pas deklaratës skandaloze se do ta spastronte etnikisht Kosovën nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit. Por, ajo këtë falje ia adreson presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Gjuro Macut, dhe jo shqiptarëve të Kosovës. 

Paunoviç u justifikua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë nga konteksti dhe se ishte shkëputur vetëm një pjesë prej 7 sekondash nga intervista.

Por, në intervistën e transmetuar nga media ku dha intervistën, ajo dëgjohet qartë teksa thotë se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, tha ajo.

Ministrja serbe pretendoi gjithashtu se e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa personat që do të zgjidhnin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë.

Ajo e përshkroi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta shpallur atë person non grata si paradoksal, duke deklaruar se vendimi për t’i “ndaluar përgjithmonë” hyrjen në Kosovë është marrë nga ato që i quajti si “institucionet e përkohshme të Kosovës”.

Po ndodh...

ide