Boll ka paguar Lulzim Basha për besnikërinë e tij!

4 Korrik 2023, 11:43 / EDITORIAL NGA ARDIT HAXHIJA

Boll ka paguar Lulzim Basha për besnikërinë e tij!
Në prag të verës, njerëzit në Shqipëri kanë filluar të organizojnë pushimet e tyre. Disa zgjedhin të shkojnë në jug, disa në veri. Ka nga ata që preferojnë pushimet në mal, ndërsa të tjerët e gjejnë kënaqësinë në bregdet. Një ndarje që reflekton diversitetin gjeografik të vendit.

Në anën tjetër, situata në Partinë Demokratike shfaqet e ndryshme. Partia po përgatitet për zgjedhjen e kryetarit të saj të ri, një proces i cili, edhe pse duket i parëndësishëm për publikun, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për forcën politike dhe për të djathtën në përgjithësi. Rikthimi i Lulzim Bashës në skenën politike ka trazuar ujërat e shumë njerëzve që e kishin "shkarkuar" nga jeta politike.

Është një situatë që përmban elemente të ngjashme me ato të viteve të tij si kryetar i PD-së, ku persona të afërt me Berishën dhe mediat pranë tij e sulmuan Bashën pa pushim. Në dallim nga atëherë, kur njerëzit e afërt apo mediat pranë Berishës ishin figura kryesore e dezinformimit, tani Berisha është vetë në krye të këtij aksioni politik.

Gjatë 8 viteve që drejtoi PD-në, Basha mori vendime të rëndësishme që shpesh herë i kushtuan karrierën politike. Mjafton të kujtojmë aksionin e çadres në 2017 dhe takimin me Edi Ramën, si dhe djegien e mandateve në 2019 dhe moskandidimin në asnjë bashki. Ishte e qartë se këto vendime politike të forta nuk ishin marrë pa miratimin dhe dijeninë e Berishës. Megjithatë, pavarësisht se ato u zbatuan pas përgatitjes dhe miratimit në zyrën e Berishës, Basha u përball me sulme publike dhe private për vendimet e tij të vështira.

Megjithëse ishte objekt i kritikave të ashpra për “vendimet” e tij, ai gjeti forcën për të ringjallur veten në vitin 2021 dhe arriti një rekuperim të shkëlqyeshëm duke fituar mbi 620 mijë vota në zgjedhjet parlamentare. Vetëm një ndryshim elektoral i realizuar nga Rama, duke ndryshuar kodin zgjedhor në momentin e fundit, e ndaloi atë nga marrja e stafetës së Kryeministrit.

Pra, është shumë e qartë që për gati 10 vite, Lulzim Basha ka paguar për besnikërinë e tij të pandërprerë ndaj Sali Berishës. Nëse Bashën nuk do ta kishte dominuar mirenjohja dhe besnikëria ndaj Berishës, ai do ta kishte zhdukur nga skena politike vite më parë dhe do të ishte bërë Kryeministër në kohën e duhur. Kanë kaluar dy vite qëkur Basha mori vendimin e duhur, mes Shqipërisë dhe Berishës zgjodhi Shqipërinë .

Tani është koha që Basha të rikthehet në krye të PD-së dhe të vazhdojë misionin që e nisi para 10 vitesh. Detyra e tij është të reformojë plotësisht partinë me njerëz të mirë-arsimuar, profesionistë dhe të përkushtuar për të ndryshuar Shqipërinë. Ai i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të kryer këtë detyrë, pasi përvoja e tij si politikan dhe si njeri i angazhuar publikisht e dëshmon atë.

Po ndodh...