
Edhe një herë mbi gjobë-vënien në medie, ata që nënshtrohen dhe pse po lejohet!

Media online, “ PublikTV.Live”, ka arritur që nëpërmjet një mikrofoni të fshehtë të kap në flagrancë gazetarin Adriatik Doçi, i cili rrëfen me krenari se si e përdor pushtetin e gazetarit për të siguruar favore dhe para në shuma të mëdha.
Kjo që ka ndodhur, pavarësisht nga qëllimi i vërtetë i cili nuk ka rëndësi, është një shërbim i madh që i bëhet publikut dhe veçanërisht asaj pjese të vogël të gazetarisë që ende punon me profesionalizëm dhe ndershmëri, edhe pse në kushte mjerane.
Personalisht e kam ngritur disa herë alarmin për këtë gangrenë që ka pushtuar medien shqiptare; shantazhin, përdorimin nga politika e krimi i organizuar; gjobë-vënien ndaj, zyrtarëve dhe veçanërisht ndaj bizneseve.
Kam kërkuar madje nga disa drejtuesve emisionesh në televizione të njohura që ta trajtojnë këtë temë, sepse situata është e rëndë dhe shpërthyese, madje mos u habisni nëse do të ketë edhe vetë-gjyqësi. Por duket se metastazat kanceroze të këtij fenomeni kanë shkuar thellë, ndaj shumica e medies, nuk guxon dhe nuk ka interes që ta trajtojë.
Kjo ndodh sepse Adriati Doçi nuk është gazetari që e shpiku gjobë-vënien, as përdorimin e pushtetit të medies si pushkë dhe më pas, si biznes fitim prurës. Ai e gjeti mes nesh. Së bashku me disa individë të tjerë mund të jetë duke u treguar më i egër dhe “më kaçak”në ushtrimin e pasurimit nëpërmjet këtij profesioni, por ai është vetëm një “lepurush”krahasuar me peshkaqenët e vërtetë.
Por problemi i vërtetë nuk është Doçi me shokë e shoqe. Është e frikshme se si kryeministri dhe klasa e vjetër politike i përdor, kurse biznesmenët, ministrat, zyrtarët e lartë, gjyqtarët dhe prokurorët u nënshtrohen gjobave. I paguajnë në kesh ose me ndere për të shpëtuar momentalisht prej “linçimin publik”, por në fakt kështu ushqejnë mostrat që po i marrin frymën medies shqiptare.
Po deligjimitojnë profesionin tonë duke e kthyer në një turp ndërsa vetë janë futur në rrugë pa krye, sepse një ditë do tu dalë emri siç ndodhi me disa në audio-përgjimin e Doçit.
Gjithashtu as shoqatat e gazetarëve, nuk reagojnë. Kjo që po ndodh është një maskaradë e cila ka deformuar jo vetëm tregun mediatik, por po çmend publikun dhe lexuesin. Helmi, shpifja, futja deri te gratë, motrat, krevati, është legjimituar. Viktimat detyrohen që të paguajnë, kurse turma kalon në ekstazë dhe kënaqet me këtë cirk makabër.
Nga ana tjetër institucionet përgjegjëse vazhdojnë që ta lejojnë këtë turp dhe krim. Qindra portale ilegalë, pa adresë, pa gazetarë të deklaruar publikojnë çfarë të duan dhe nuk penalizohen apo bllokohen.
Ashtu si politikanët nuk kanë nevojë që tu bëhet vetting për pasuritë e tyre sepse ja njohin milionat njëri- tjetrit, ashtu edhe brenda komunitetit të gazetarëve të gjithë e dinë se cili prej tyre ka vila makina të shtrenjta dhe pasuri të denja për biznesmenë që punojnë gjithë jetën dhe që bëjnë një jetë “sheiku”.
Qindra gazetarë punojnë me rroga të turpshme duke vazhduar që të qëndrojnë profesionalë dhe të ndershëm, kurse shumë “kolegë” të tyre janë shndërruar në pasanikë.
E gjitha kjo ndodh, sepse edhe bizneset që mbështesin medie janë në lojë të madhe. Pronarët e tyre nuk vendosin gjoba 10-20 mijë euro siç pranon vetë se bën Adriatik Doçi i “Prapaskenës”, por bëjnë “marrëveshje” të mëdha me kryeministrin, ministrat, zyrtarë të lartë dhe madje edhe politikanë të opozitës.
Skema e deformimit të demokracisë shqiptare, e kapjes së vendit nga kjo klasë politike, oligarkët dhe krimi i organizuar, nuk del e plotë duke lënë jashtë saj medien. Ajo është pjesë kryesore në mbajtjen gjallë të statukuosë dhe mbrojtjen e pasurive të grabitura nga klanet e Ramës, Berishës dhe Ilir Metajt me gjithë derivatet e tyre korruptive, në biznes dhe krim, në këto 32 vite.
Ky deformim që i është bërë “pushtetit të katërt” i cili është kthyer në gjobë-vënës, shërbëtorë i klaneve politike e snajper me pagesë, jo vetëm që lejohet nga institucionet, por edhe ushqehet nga të katër anët.
Vetë kryeministri Edi Rama është aktualisht i interesuari më i madh i kësaj situate. Një medie e cila po bëhet kaq shumë pis nga modele si “Prapaskena” dhe jo vetëm, të cilët fatkeqësisht janë bërë shumë, nuk mund të jetë e besueshme kur denoncon edhe me fakte skandalet dhe korrupsionin e madh të pushtetit.
Kazani ku na futi të gjithëve, po funksionon./Alfapress.al
-
Për mafien e medies shqiptare!
31 Maj, 15:03

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128