Flamunokëzimi i Gazment Bardhit

17 Janar 2024, 12:36 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Flamunokëzimi i Gazment Bardhit

Me sjelljen e sotme ndaj Flutura Açkës, Gazment Bardhi tregoi se është flamurnokëzuar i tëri.

Nuk dallohet tashmë se ku fillon njëri e ku mbaron tjetri.

Në rrugë e sipër për të qenë vetvetja dhe për të mos qenë me asnjë, Gazi u shndërrua në gaztor tragjik.

Në përpjekjen e tij sizifiane për t’i ngjarë Saliut, përfundoi duke i ngjarë Mulit.

Tani flet papushim si ai, mendon pa mendim si ai, vepron me gjeste si ai, trashë zërin dhe bën si i fortë ngjashëm me të. 

(Sa shëmtuar duket një mashkull kur bën si i fortë ndaj një femre!)

Dhe nuk ka dramë më të madhe për një politikan si puna e Gazit që t’i ndodhë një shndërrim i tillë kaq i shëmtuar.

Nëse Muli është origjinal në ato që bën dhe në sjelljen e tij, Gazi është një kopje e shëmtuar.

Berisha dhe militantët që e ndjekin nuk kanë nevojë për kopjen, kur kanë komisar Mulin në mesin e tyre.

Nëse Mulit i ka dalë për hajër kjo sjellje dhe kështu e ka ndërtuar karrierën e tij politike, Gazi vjen nga një rrugë tjetër, çka do të thotë se, nëse vijon duke imituar Mulin, do dalë shumë shpejt i tepërt në politikë dhe për të nuk do të ketë nevojë asnjë.

Sepse të gjithë e kanë kuptuar lojën e Gazit, thjesht e përdorin si gaztor për qëllimet e tyre.

Dhe si çdo i përdorshëm një herë, pastaj do të flaket sepse nuk i hyn kujt në punë.

Po ndodh...