“Akt formal dhe i panevojshëm”/ Referendumi për Berishën, Kadilli: Ai mbetet kryetar i përjetshëm, por PD duhet të kthehet në ofertë e shpresë

29 Maj 2026, 16:42 / POLITIKË ALFA PRESS

“Akt formal dhe i panevojshëm”/ Referendumi për

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, i ftuar në programin e drekës në News24, ka komentuar me tone kritike referendumin e fundit të zhvilluar në PD, i cili rikonfirmoi Sali Berishën në krye të partisë në mungesë të një gare të mirëfilltë.

Kadilli e cilësoi këtë proces si një akt tërësisht formal dhe të panevojshëm, duke theksuar se Berisha do të mbetet “kryetari i përjetshëm” i asaj partie sa herë që të jetë prezent, pasi anëtarësia vitale përbëhet nga berishistët. Sipas tij, e vetmja gjë serioze në këtë proces ishte që të paktën nuk u sajua një kandidat fiktiv përballë tij.

Ish-deputeti demokrat lëshoi akuza të forta ndaj lidershipit aktual dhe deputetëve të PD-së, duke e quajtur ekipin rreth Berishës si “të pavlerë nga ana politike”. Ai theksoi se mbijetesa brenda asaj partie tashmë kërkon thjesht shfaqje servilizmi dhe imitimi të liderit.

“Berisha e ka të vështirë të jetojë në një parti me njerëz me qëndrime të ndryshme. Nuk i përzë, por i lë në injorim, u pamundëson çdo instrument politik. Të bashkëjetosh në atë parti sot duhet të bësh garë kush e do më shumë Berishën, kush e imiton më shumë në gjestet politike, duke u bërë edhe qesharakë një pjesë e tyre. Ky ekip që është, është i pavlerë nga ana politike sa kohë nuk prodhon asgjë, përveç një shërbimi duke krijuar alibinë që nuk mund të vijojë partia pa Berishën. Nuk do të shuhet opozita se nuk është një njeri. Nuk jam dakord me ata që duan të justifikojnë servilizmin që i bëjnë Berishës, kushdo qoftë,” deklaroi prerë Kadilli.

Në analizën e tij, Kadilli u ndal edhe te paaftësia e PD-së për t’u rritur politikisht përballë skandaleve të panumërta të qeverisë së Edi Ramës. Sipas tij, ky nuk është thjesht një ngërç, por dështimi më i madh për një politikan, i cili vjen nga konsumimi i vetë Berishës dhe i kulturës që ai përfaqëson.

“Të mos arrish dot të fitosh besimin e njerëzve me kaq gjëma sa ka qeveria e Ramës, me gjithë këto skandale, nuk gjej dot dështim më të madh se kaq për një politikan. Nuk vjen nga pazotësia, por nga konsumimi i këtij politikani dhe i kësaj kulture politike,” nënvizoi ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Kadilli argumentoi se aksionet opozitare me “zjarr e hekur” kanë dështuar sepse PD-ja po sillet thjesht si një kundërshtar i pushtetit dhe jo si një ofertë e re që ngjall shpresë për ta zëvendësuar atë.

“PD e lufton qeverinë, por nuk mjafton ta luftosh regjimin, duhet të jesh oferta për ta zëvendësuar, të jesh shpresë për shqiptarët. Sa kohë nuk ngjall besim e shpresë, është e pamundur ta rrëzosh, sado i ashpër të sillesh në aksion. Ka bërë pafund protesta, me zjarr e hekur, nuk funksionon sepse ka dy koncepte që duhen ndarë: është një gjë të jesh kundërshtar i pushtetit dhe tjetër të jesh kandidat për ta zëvendësuar pushtetin,” përfundoi Fatbardh Kadilli.

Po ndodh...

ide