Mbi luftën malinje të Erion Veliajt, për të zëvendësuar Edi Ramën!

Edhe pse në pamje të parë brenda lidershipit të Partisë Socialiste duket sikur ka një unitet me rastin e zgjedhjeve të ardhshme për bashkitë, lufta brenda Partisë Socialiste për trashëgiminë e fronit, po bëhet gjithmonë e më shumë evidente.
Erion Veliaj duke qenë koshient dhe duke pasur informacion të dorës së parë nga ndërkombëtarët për degradimin dhe lëshimin e shpejtë që po i bëhet pushtetit të korruptuar të Edi Ramës, ka nisur të shpalos lojën e tij ambicioze.
Pak kohë më parë ai ishte në SHBA në një vizitë të gjatë misterioze, por me sa duket të suksesshme, sepse menjëherë pas kthimit në atdhe blindoi ri-kandidimin për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Duket Edi Rama u detyrua, apo u shantazhua, që ti jepte fund skemës për eliminimin e Veliajt duke piketuar më herët Belinda Ballukun për këtë post.
Erion Veliaj është i ndërgjegjshëm që Edi Rama pavarësisht përçarjes së paprecedentë të opozitës, (e cila nuk do vazhdojë pafundësisht kështu), nuk ka asnjë gjasë tu mbijetojë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, pavarësisht nga rezultati që do të marrë për bashkitë.
Gjithashtu tashmë ai e di që rruga, qoftë te zyra e kryeministrit por sidomos te froni i PS-së, kalon nga bashkia e Tiranës. Këtë të fundit e ka siguruar tashmë, por mendja i punon vetëm për ambicien finale. Dhe ka nisur në fakt nga puna.
Të nesërmen (këtë të enjte) e skandalit të Edi Ramës në mes të Këshillit të Europës duke mbajtur një fjalim arrogant, (pavarësisht se brenda kishte shumë të vërteta), Erion Veliaj, u kujdes që të sulmonte “Pasardhësit e komunizmit në Shqipëri”.
Pavarësisht nga ngazëllimi adoleshent i vetë Ramës si dhe shpërthimi i orgazmave të analistëve të tij për këtë “sovranizëm” të padëgjuar në mes të Europës, fatura ndaj tij duket se do të jetë e rëndë.
Reagimi i krerëve kryesorë të grupeve parlamentare të KE, ishte i ashpër vetëm pak orë pas atij fjalimi. I refuzuan darkën por siç e thamë, fatura e vërtetë ende nuk është nisur.
Ndërkohë këtu, Rrjeti është mbushur me meme ku Edi Rama shfaqet në atë Asamble, njësoj si Enver Hoxha në mbledhjen e famshme të Traktatit të Varshavës dhe kjo nuk i ka shpëtuar Veliajt.
Gjithashtu “tërmetet” që vijnë nga ndërkombëtarët për Edi Ramën ai është kujdesur me kohë, që ti mësojë më përpara se shumëkush në Tiranë dhe madje, edhe përpara se të mbërrijnë te kancelaria e “shefit të madh”, i cili sa vjen dhe zvogëlohet për Perëndimin.
Në këtë situatë, ka bërë atë që di të bëjë më mirë. Ka hedhur “helm” duke guxuar të rikthejë në kujtesën e shqiptarëve, trashëgiminë komuniste të Edi Ramës dhe të gjithë elitës në pushtetin politik të Shqipërisë.
Nëpërmjet një shkrimi të gjatë në Twitter, Veliaj, bëri “naivin” duke shpikur një replikë me analistin, Andi Bushati, për tarifat e studentëve konviktorë. Nuk e sulmoj si gazetar por si “të rritur në Bllokun dhe prehrin e Enver Hoxhës”. Goditja me rikoshet ishte një fotografi ku Bushati i vogël, shfaqej në krahët e Enver Hoxhës.
Shumëkush u habit nga guximi i Veliajt në prag të zgjedhjeve, për të goditur trashëgiminë e Partisë Socialiste. Në fakt ai duke përdorur në mënyrë malinje një sulm normal kundër Bushatit, goditi indirekt Edi Ramën dhe kanakaren e tij Belinda Ballukun.
I pari nip i anëtarit të Byrosë së Partisë së Punës Spiro Koleka, e dyta mbesë e ministrit të Enver Hoxhës, Beqir Balluku.
Kështu Veliaj po synon që të shfaqet përpara ndërkombëtarëve si një lider që do ta shkëpusë përfundimisht PS-në dhe Shqipërinë, nga “mbetjet komuniste”.
Ata duhet të zgjedhin mes tij dhe Edi Ramës brenda PS-së. Jo kush është më shumë a më pak i korruptuar, (sipas tij), por cili nuk ka asnjë lidhje me komunizmin.
Dhe nëse është puna për këtë, duket se ata po bëjnë sikur e kanë bërë tashmë; duke u distancuar gjithmonë e më shumë nga Rama dhe duke u afruar formalisht më shumë me Veliajn.
Është fakt të cilin edhe vetë nuk e fsheh më. Ramës sa vjen dhe po i ngushtohet rrethi nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht prej SHBA. Kjo duket hapur nga çdo këndvështrim.
Në intervistën e fundit që ambasadorja Yuri Kim dha për Blendi Fevziun, ajo bëri një silurim të hapur ndaj qeverisë Rama duke e paralajmëruar fortë për Amnistinë Fiskale dhe duke i përmendur korrupsionin galopant dhe radhën në SPAK.
“Është koha që populli shqiptar dhe qeveria shqiptare, të zgjedhin përsëri se cilën rrugë do të zgjidhni”, paralajmëroj ambasadorja.
Menjëherë pas kësaj interviste kryeministri Rama reagoj, duke deklaruar se refuzonte gjuhën e përdorur në atë intervistë nga ambasadorja e SHBA.
“Unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë. Që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët”, replikoj ai duke u shfaqur si i fortë.
Trimëri i Ramës me ndërkombëtarët i cili arriti kulmin në Asamblenë e KE, nuk është forcë por kundër- refleks i atij që i ka mbyllur hesapet dhe kundërsulmon, duke gjetur strehën e fundit te nacionalizmi dhe sovranizmi.
Fiks siç bëri Sali Berisha përpara se të largohej nga pushteti në vitin 2012, kur i tregonte Perëndimit sinorët e shqiptarisë nga Preveza në Nish, pikërisht në sy të ambasadorit Arvizu.
Erion Veliaj duket se e ka kapur nyjën historike ku gjendet sot vendi: Koha që të zgjedh me detyrim përcaktim, rrugën e një shteti dhe demokracie tipike perëndimore. Ndaj menjëherë pasi lëshoj “helmin” kundër nipit dhe mbesës së bllokmenëve të Enverit, u shfaq me lopatë në dorë dhe “guça- guça” me ambasadoren Yuri Kim, te Piramida e rikonstruktuar.
Është e vërtetë se Veliaj, ndryshe nga Edi Rama, nuk ka asnjë lidhje apo debulesë ndaj kohës së komunizmit dhe kjo do ti pëlqente shumë Perëndimit. Por ka një problem.
Perëndimi e ka mundur me kohë komunizmin. Është e vërtetë që nuk i duron dot as mbetjet e tij në një vend me demokraci hibride si Shqipëria, por “meraku i tyre”, (si ai i shumicës së shqiptarëve), është tjetër kund: Te demokracia funksionale, shteti ligjor, Drejtësia dhe dhënia fund e regjimit të klepto- kracisë 32 vjeçare.
E këtu sa do që të bëjë akrobaci Erion Veliaj është njësoj si Edi Rama dhe gjithë pjesa tjetër e “Shumëkëndëshit të Tranzicionit”, që ka kapur vendin.
Në gjithë këtë histori, vetëm për një gjë i “duhet hequr kapela” Erion Velisë: Ka kuptuar se klasës politike të korruptuar të këtyre 3 dekadave do ti vihet ruspa. Ruspë e huaj apo “Made in Albania”, nuk ka më rëndësi. Ajo është nisur drejt tyre për ti shndërruar në skrap, e më pas për incenerim. Veçse Veliaj ka “harruar” diçka të vogël. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët e dinë prej kohësh, se ai është vetëm një klon i Edi Ramës.
Pas Partisë Demokratike që është në proces të dhimbshëm, radhën shumë shpejt do ta ketë PS për të bërë transfuzion. Është proces i Nyjës Historike ku gjendet Shqipëria dhe këtë nuk do të mund ta ndalojë dot, as pushteti i grumbulluar dhe as pasuria gjigante e vjedhur prej tyre gjatë këtij Tranzicioni! /Alfapress.al
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
Sekretari i Parë i PD
Të “rrëzosh” Edi Ramën duke gënjyer veten…
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

