“Rikthimi im i tretë do të jetë më i suksesshmi", po a e beson më njeri Sali Berishën?!

11 Prill 2023, 14:49 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

“Rikthimi im i tretë do të jetë më i suksesshmi",

Gjatë ditës së djeshme, (10.4.2023), në një bashkëbisedimi me qytetarët në medien sociale, Sali Berisha, tha se rikthimi i tretë i tij do jetë më i suksesshmi në karrierën e tij politike dhe pushtetore, 32 vjeçare.

Do e krahasoj edhe një herë me Steve Jobs, i cili pasi e larguan nga ndërmarrja e tij, u rikthye dhe i bëri botës iPod, iPad dhe iPhone.Një rikthim i tretë do ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve”, deklaroi ai.

Por përtej arsyes se përse ai artikulon një mirazh-mashtrim të tillë për ndjekësit e lodhur të tij, (më i qartë nga të gjithë është ai vetë, se ky mision është i pamundur), le të bëjmë një rezume të ftohtë dhe të kthehemi prapa në kohë, ndër vitet kur Berisha qeveriste, për të kuptuar nëse a mundet vërtet që ai të rikthehet i suksesshëm sërish.

Ndodhitë që shënjojnë jetën e tij politike dhe të vendit janë të shumta, por le të trajtojmë dy nga ngjarjet që lanë gjurmë të pashlyeshme për shqiptarët, pikërisht nën udhëheqjen e Sali Berishës.

Viti 1997, 180 ditë tmerri për jetën e shqiptarëve, gjithçka jashtë kontrollit

Viti 1997, do të mbahet mend dhe do të kujtohet përjetësisht, si një periudhë tragjike, që shkatërroi vendin dhe mijëra jetë njerëzore shqiptarësh të pafajshëm. Atij “viti të zi” i paraprinë piramidat financiare, të cilat Sali Berisha jo vetëm i lejoi, por edhe i mbështeti fortë. Përveç pasojave tragjike në jetë njerëzish, tregues tjetër tragjik i asaj periudhe dramatike ishte dhe shkatërrimi i ekonomisë, bankave, bizneseve e gjithçkaje.

Ishte koha e krijimit dhe sundimit të bandave kriminale. Në mungesë totale të shtetit, pas shthurjes së tij prej ish-pushtetit despotik të komanduar prej Sali Berishës, “komandën” e vendit e morën bandat e rrugës, të cilat nisën të bënin “ligjin” në 180 ditët e protestave popullore, të quajtura rebelim kundër ish-piramidave të “Sudes” etj.

Edhe pse në jug të vendit dhe në zona të tjera, u ngritën “komitetet e shpëtimit publik”, bandat ishin një “strukturë paralele“ që kryenin krime dhe abuzonin në ato ditë trazirash, që shkatërruan gjithçka. Është një listë e gjatë organizatash me të ish-të burgosur e me kontigjentë  kriminalë, që u aktivizuan pas rënies së shtetit në vitin 1997. Këto banda që frymëzoheshin ca nga Berisha dhe ca nga socialistët, u bën të “plotfuqishmet” e zonave ku u krijuan dhe nisën aktivitetin e tyre kriminal.

Nëse do të shfletojmë arkivën e 6 muajve të protestave anti-piramida, përveç zemërimit popullor ndaj ish-pushtetit mashtrues e të dhunshëm të PD, të komanduar prej Sali Berishës, sunduan dhe bandat e rrugës të cilat zëvendësuan rolin e shtetit e të pushtetit. Ky “shtet” në shumë raste u shkri me krimin.

Shqiptarët e thjeshtë u detyruan që të përballen vetë me këto banda, duke marrë në mbrojtje jetët dhe pronat e tyre. Mungesa e plotë e shtetit, e policisë, e institucioneve të sigurisë kombëtare, detyroi popullatën që t’i dalin “zot” vetes. Edhe pse shqiptarët u aktivizuan për t’u vetë-mbrojtur, veprimi i kriminal i bandave të vitit 1997, nuk mund të ndalej duke treguar se qeveritë autoritare dhe jo demokratike, në fakt janë të kalbura nga brenda.

Në jug dhe në zonat e tjera të Shqipërisë, vazhdojnë dhe sot të përmenden këto banda që u lanë shpesh me vetëdije nga institucionet që të lulëzonin. Edhe sot e kësaj dite ato njihen dhe ndahen  si “Grupi i PD” dhe "Grupi i PS”. Dosja e vitit 1997 kurrë nuk ka shkuar përpara drejtësisë; si u hapën depot e armatimit, kush urdhëroi, pse policia veçanërisht në jug të vendit braktisi detyrën dhe la shqiptarët në duart e grupeve të armatosura?!

Fabrika e korrupsionit dhe shpërthimi në Gërdec

Shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15, (e shtunë), mars, 2008 rreth orës 12:05 dhe prej tij humbën jetën të paktën 26 persona dhe qindra u plagosën. 

Gërdeci është fshat shumë afër Tiranës dhe shpërthimi ndodhi në një "fabrikë" për demontimin e armëve, e cila u ideua dhe u vendos në punë nga struktura të minstrisë së Mbrojtjes, por në shërbim të interesave korruptive të privatëve. Pikërish aty, sot djali i Sali Berishës ka ngritur një biznes rreth 20 milion euro.

Demontimi i armëve ishte një prioritet që qeveria e shtetit Shqiptar kishte marrë përsipër për anëtarësimin në NATO; pasi siç kishte deklaruar kryeministri i vendit Sali Berisha për Agjencinë Reuters :“Pirgjet e 100 000 ton municioneve 40–50 vjeçare janë një nga problemet tona më serioze”. Por ky projekt u devijua në biznes korruptiv, që me Gërdecin u shndërrua edhe në kriminal. 

Kujtojmë se “Gërdecit” i parapriu një shkrim investigativ në gazetën e madhe amerikane “New York Times”, e cila zbuloi se në fabrikën e demontimit po ekzekutohej një skemë korruptive dhe kriminale ku ishin të përfshirë shteti. Përveç piramidës qeveritare dhe  ushtarake, brenda ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu edhe familjarë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe nominalisht djali i tij, Shkëlzen Berisha. Vetë ky i fundit në mbrojtje të kësaj afere e quajti medien e madhe amerikane, “letër higjenike”.

Pasi nuk u morën masa për mbylljen e Gërdecit pas investigimit të “New York Times”, sipas Reuters, pas shpërthimit spitalet u mbushën me të gjymtuar, e të djegur.

Tre ditë pas tragjedisë më 18 mars 2008, nga qeveria u shpall ditë zie kombëtare dhe protesta të shumta qytetare vijuan. Ngjarja pushtoi të gjithë televizionet e vendit, por pushtoi edhe ekranet e gjithë medieve më të mëdha botërore.

Tragjedia u shoqërua edhe me ngjarje të tjera politike. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, do të jepte dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë. Por ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “...përgjegjësi morale”. Sot ai thotë se “po bëhet kokë turku”, pasi vendimet për biznesin e Gërdecit u morën në qeverinë që drejtohej nga Sali Berisha.

Vetë ky i fundit arriti deri aty sa mohoi edhe baxhanakun në parlament, për të fshehur gjurmët e djalit dhe familjes në këtë aferë. Prokuroria u vu nën presion, kurse ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, u arratis dhe kërkoi azil politik në SHBA, pasi siç kishte deklaruar edhe në ambasadën e këtij vendi, ishte kërcënuar nga Shkëlzen Berisha.

Kujtojmë që në shkurt të këtij viti Prokuroria e Posaçme SPAK, ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për sa i përket “Gërdecit”, kurse hetimi për aferën e biznesit korruptiv i cili është hetuar dhe gjykuar në SHBA vazhdon edhe për përfshirjen djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishën, i cili ka “hesape” të hapura edhe për procedimin “CEZ”.

Edhe dhëndri-burri i vajzës, Jamarbër Malltezi, ka një proces drejt mbylljes në SPAK për çështjen e “Klubit Partizani”, të cilin qeveria Berisha ja dhuroi për të ngritur një lagje të tërë me pallate në tokë publike. Pra ‘bëmat’e shkuara të qeverisjes së Berishës, sot janë ndër proceset penale më të mëdha dhe të bujshme të drejtësisë së re.

Non grata dhe armik i sigurisë së SHBA dhe Britanisë së Madhe

Në vitin 2021 në një reagim zyrtar nga SHBA bëri me dije, se ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Motivacioni: Korrupsion domethënës dhe minim i demkracisë. Më pas edhe “armik” i sigurisë kombëtare të SHBA. Pas tyre të njëjtën gjë dhe me të njëjtin motivacion, bëri edhe Britania e Madhe.

Lufta e hapur dhe qëndrimet e forta kundërshtuese ndër vite të Sali  Berishës me SHBA, si dhe krijimi i kushteve për korrupsion të djalit, vajzës dhe klanit të tij, më në fund u ndëshkuan nga qeveria e SHBA, por ende jo nga drejtësia e Shqipërisë, ku ai ka konsumuar krimet dhe korrupsionin.

Ishte Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili botërisht e shpalli si person non grata në SHBA ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha, bashkë më familjen e tij.

Vetë ai përmes një mesazhi në Twitter shkroi se ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tij korruptive, ka minuar demokracinë.

Unë në mënyrë publike shpall Berishën dhe  anëtarët e familjes së  tij të ngushtë  si të ndaluar për të hyrë në SHBA”. Ne- thekson sekretari amerikan i shtetit- qëndrojmë të bashkuar kundra korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.

Në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë  shqiptare dhe institucioneve”, sqaroi më me hollësi më pas DASH.

Një tjetër shkak për këtë vendim thotë Departamenti Amerikan i Shtetit lidhet edhe me retorikën e përdorur nga Berisha për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura anti-korrupsion dhe masave llogaridhënëse.

Nisur nga të gjitha këto fakte të së shkuarës së tij, hetimet që po kryhen në SPAK për veprimtarinë e tij, të bashkëpunëtorëve dhe familjarëve, duke shtuar edhe përçarjen dhe tentativën e eliminimit që po shkakton në Partinë Demokratike, (vetëm për shkak të non gratës amerikane dhe mbrojtjes nga drejtësia), a mund të ketë ende njerëz me logjikë të shëndoshë që të besojnë, se ai mund të rikthehet i suksesshëm?!

Në fakt Berisha është rikthyer, por si shefi i një fronti anti-amerikan në Shqipëri dhe për të dhënë llogari te drejtësia e re, në atë pak kohë që i ka mbetur!/Alfapress.al



 

 

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128