Skenari i fundit që po vënë në veprim Rama dhe Berisha!

13 Shkurt 2023, 15:48 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Skenari i fundit që po vënë në veprim Rama dhe Berisha!

Kemi në arritur në një fazë interesante të një procesi historik në Shqipëri. I ngjashëm deri diku me atë që ndodhi në fillim vitet 90-të, por këtë herë nuk po shkallmohet regjimi makabër enverist, por ai i një kaste të korruptuar katile, e cila ka kapur sistemin shtetëror dhe politik për 32 vite rresht.

Ky “revolucion” ka specifikat e veta sepse nuk buron nga godinat e studentëve këtë herë, por nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimi në përgjithësi. Buldozieri është nisur pa frena dhe pedalin e gazit e ka shtypur dëshira dhe ulërima deri në dëshpërim e mbi 90 për qind e shqiptarëve, për të shndërruar në gërmadhë këtë klasë hajdute politike të vjetër. Për ti nxjerrë njëherë e mirë me gjithë metastazat e veta nga skena dhe mbi të gjitha, të shkojnë e të japë llogari përpara drejtësisë, që këtë që i kanë bërë Shqipërisë, të mos guxojë më kush ta përsërisë.

Shumëkush me të drejtë është i dëshpëruar, se përse kjo nuk po ndodh shpejt. Sipas ekspertëve gjatë këtyre 32 viteve, Shqipërisë i mungojnë rreth 30-40 miliard dollarë “të hedhura për investime”, por të “zhdukura”. Sikur të marrim si marzh  fitimi “20 përqindëshin” e famshëm të Edi Ramës kur ishte kryetar bashkie i Tiranës, apo pjesën, prej dekadash të “zyrtarizuar” për çdo tender, koncesion, “investim strategjik”, kapje të pronave shtetërore dhe të ish-pronarëve që i kanë kompensuar me thërrime apo gërxhe, atëherë llogarinë e bëni vetë.

Berisha-Rama-Metaj që e kanë qeverisur me rotacion apo së bashku këtë vend, janë përgjegjës direkt për shumë miliard dollarë të firuara, (të vjedhura më saktë), dhe kjo vetëm sipas letrave.

Gjithë kjo pasuri, plus kapja e sistemit politik në marrëveshje, (kujtoni vetëm kushtetutën e 2008, Berisha-Rama), duke vulosur rotacionin mes vetit, plus rrënjët e thella në drejtësi dhe veçanërisht te “biznesi i madh”, nuk është e lehtë që të munden.

Aq shumë pasuri kanë në dispozicion të betejës së tyre finale, aq rrënjë të thella kanë arritur të hedhin në çdo qelizë të vendit dhe shoqërisë shqiptare, sa që po habisin me rezistencën  tyre edhe superfuqinë botërore, SHBA-të.

Aktualisht jemi në këtë situatë: Sali Berishës nuk po i vjen asnjë tundje koke nga Perëndimi. Madje ai është i bojkotuar dhe i izoluar deri në gjynahllëk edhe nga faktori politik shqiptarë në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Tani as Albin Kurti i cili ishte bërë “grup” ca kohë me Berishën dhe me Metajn, nuk u hedh më sytë.

Pas zhvillimeve të fundit, në të njëjtën situatë po futet me shpejtësi edhe Edi Rama. Ai njihet nga SHBA dhe Perëndimi vetëm formalisht, sepse është ende kryeministër i një vendi anëtar i NATO dhe aspirant, për anëtarësim në BE. Por biletën ja kanë prerë dhe kur të mos jetë më në atë karrige ku është kalcifikuar, “nongratën” e ka të sigurt me të njëjtin motivacion si të Berishës: Korrupsion madhor dhe minim të demokracisë!

Ata bashkë kanë qenë gjithmonë, para dhe prapa skene. Me Boden dhe Angjelin te Banka e Shqipërisë; me “aksione” te të njëjtët oligarkë, (Mane, Kastrati, Ulaj...), por tani janë të detyruar që të futen edhe në të njëjtën çetë, përballë SHBA dhe Perëndimit.

Kjo është ajo që po ndodh, ndaj po shkëmbejnë mesazhe gjoja të koduara me poçe që nuk ngjiten por duhen restauruar, apo me thirrje për “shokët socialistë”.

Plani duket hapur se është që ta bëjnë fakt të kryer se këta të dy, (Metaj si bisht pas tyre), i do apo nuk i do Perëndimi, janë faktorët e vetëm që mund të mbajnë stabilitetin në një vend që gjendet në një rajon delikat si Ballkani Perëndimorë!

Kërkojnë që të paguajnë faturat e tyre të korrupsionit dhe minimit të demokracisë 32 vjeçare, me anë të stabilokracisë.

Berisha bën sikur bën revolucion dhe protesta, kurse Rama bën sikur është në hall të madh për “demokracinë” në Shqipëri, sepse nuk ka me kë të flasë tjetër përveç Sali Berishës. I fut edhe një të rrethuar parlamentit me mijëra policë të armatosur rëndë, të thuash se do bëhet nami nga një “revolucion” i cili u pa që në fillim dhe u vërtetua në 11 shkurt, se është një qiri i fikur. Po krijojnë të dy një gjendje "lufte', që më pas të thirren në tryezë dhe tu kërkohet që ta shuajnë. Dhe duket se krijimin e një situate “protestash” dhe gatishmërie të lartë policore e kanë si plan afatgjatë deri sa me shpresën që vdes e fundit, ShBA, ti fal dhe tu thotë: Rrini siç keni qenë, veçse na lini rehat se e duam Shqipërinë dhe Ballkanin në këto kohë stabil!

Në fakt po vënë në veprim një skemë që e kemi parë 32 vite rresht për Kushtetutën, sistemin zgjedhorë, për presidentë e kryeprokurorë. Tani kërkojnë që ta shesin sërish, por këtë herë jo te shqiptarët por te ndërkombëtarët.

Po e tjerrin situatën që të duket sikur vetëm këta i kanë çelësat e stabilitetit të Shqipërisë e ndoshta, edhe të rajoni në këto kohë që Rusia i ka duart e zgjatura në këto anë më shumë se kurrë.

Nuk e kanë keq si plan, sepse herë pas here Perëndimi ka lëshuar pe` në cedimin e demokracisë dhe ka mbyllur njërin sy për korrupsionin e tyre. Por këtë herë duket qartë, se i kanë bërë hesapet pa hanxhiun.

Që të dy Rama me Berishën, (dilemë e madhe ta quash apo të mos e quash Metajn më si faktor), tashmë nga Perëndimi, janë shënjuar pikërisht ata si faktorët më të rrezikshëm dhe potencialë destabilizues të demokracisë, shtetit shqiptarë dhe rajonit.

Ndaj le të bashkohen se halli i madh, normal që të bashkon dhe të bën një. Por Buldozieri tani është te portat, ndaj të paktën të ngushëllojnë njëri- tjetrin duke e pritur të përqafuar!/Alfapress.al

 

ide