Banka e Shqipërisë: Rritja e rezervës valutore u frenua gjatë vitit 2022

3 Shkurt 2023, 09:00 / EKONOMI ALFA PRESS

Banka e Shqipërisë: Rritja e rezervës valutore u frenua

Rritja e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë pësoi një frenim vitin e kaluar.

Statistikat tregojnë se në fund të dhjetorit 2022 vlera e mjeteve të rezervës arriti në 4.95 miliardë euro, në një rënie prej 0.4% krahasuar me një vit më parë.

Efektin kryesor në tkurrjen e lehtë të rezervës valutore vitin e kaluar e dha pakësimi në zërin e të drejtave të tërheqjes pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (SDR-ve). Vlera e tyre zbriti në 243 milionë euro, 21.6% më pak krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë adoptoi një ndryshim të ndjeshëm në strukturën e rezervës valutore sipas mjeteve, duke ulur ndjeshëm gjendjen në monedha dhe depozita dhe duke rritur investimet në tituj financiarë. Vlera e mbajtur në formën e monedhave dhe depozitave zbriti në 786 milionë euro, 65% më pak krahasuar me fundin e vitit 2021. Paratë e zhvendosura nga depozitat u investuan kryesisht në tituj borxhi. Vlera e tyre në fund të vitit 2022 arriti në 3.73 miliardë euro, në rritje me 67.8% krahasuar me fundin e vitit 2021.

Ndryshimi në politikat e investimit mund të lidhet kryesisht me rritjen e ndjeshme të yield-eve në tregjet financiare botërore vitin e kaluar. Kjo rritje i ka bërë më fitimprurëse investimet e reja në tituj dhe Banka e Shqipërisë e ka rritur portofolin e këtyre instrumenteve, në përpjekje për të përmirësuar kthimin nga investimi i rezervës valutore. Për vitin 2021 kthimi nga investimi i rezervës valutore kishte qenë negativ, në masën 0.64%, ndërsa për vitin 2022 ky tregues ende nuk është publikuar nga banka qendrore.

Sipas kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës miraton parimet dhe kriteret cilësore për zhvillimin e aktivitetit të administrimit të rezervës valutore.

Në zbatim të këtyre kritereve, Komiteti i Investimit miraton treguesit sasiorë dhe ndjek përmes raportimeve periodike vënien në zbatim të politikës së investimit, përveçse miraton edhe emrat e lejuar (emetuesit) në të cilët investohet rezerva valutore.

Këto emra përfshijnë qeveritë e SHBA-së, Japonisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Eurozonës, të cilat përgjithësisht janë të renditura të paktën A- (për qeveritë e Eurozonës renditja minimale e pranuar është BBB-). Në emrat e lejuar për investim përfshihen dhe agjenci apo institucione të lidhura me qeveritë, institucione shumëpalëshe apo të tjera subjekte të renditura të paktën AA- (për banka/institucione të tjera financiare renditja minimale e pranuar është A-).

Duhet theksuar se në vitet e fundit ecuria e rezervës valutore është ndikuar shumë nga huamarrjet perioduke të qeverisë shqiptare nëpërmjet emetimit të eurobondeve. Këto fonde depozitohen pranë Bankës së Shqipërisë dhe momentet e emetimit të tyre sjellin shpesh rritje të ndjeshme të vlerës së rezervës valutore të vendit. Huamarrja e fundit u realizua në nëntor të vitit 2021 dhe ky zhvillim dha ndikimin kryesor në rritjen e rezervës valutore gjatë vitit 2021.

Për vitin 2022, nuk u realizuan emetime të eurobondeve dhe vlera e rezervës qëndroi në nivele të përafërta me fundin e vitit 2021. Përdorimi i fondeve të Eurobondit nga qeveria kompensohet gradualisht me blerje të valutës në tregun e brendshëm valutor, për ruajtjen e nivelit të rezervës.

Sipas informacionit zyrtar të publikuar deri tani, për 9 muajt e vitit 2022 Banka e Shqipërisë ka blerë 96.4 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Sipas të dhënave ende jo zyrtare të mbledhura nga “Monitor” për blerjet e realizuara në tremujorin e fundit, vlerësohet për të gjithë vitin 2022 blerjet e Euros nga Banka e Shqipërisë kanë arritur në afërsisht 140 milionë euro.

Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 16 ankande të blerjes së euros, që do të zhvillohen mes datës 17 shkurt dhe 20 dhjetor. Vlera e blerjeve të euros parashikohet në intervalin midis 160 dhe 220 milionë eurove./ Monitor 

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128