Kredia hipotekore rritet me 17.3%, frenohet ajo konsumatore

18 Maj 2023, 08:06 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Kredia hipotekore rritet me 17.3%, frenohet ajo konsumatore

Kredia për individë ka shfaqur ngadalësim të rritjes gjatë tremujorit të pare të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë zgjerimi i këtij portofoli prej 14.5% ishte 0.6 pikë përqindje më pak se rritja vjetore e shënuar gjatë vitit 2021.

Rritja e kredisë për individë ka vijuar të mbështet nga kredia hipotekore, e cila u rrit me 17.3% në tremujorin e parë në krahasim me një vit më parë.

Banka e Shqipërisë nënvizon se zgjerimi i kredisë së individëve këtë tremujor ishte për financimin për blerje banese, duke reflektuar nga njëra anë rritjen e madhësisë së kredisë së kërkuar për financim në kushtet e rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave dhe nga ana tjetër lehtësimin e kushteve të kreditimit të bankave në reflektim të konkurrencës për klientët.

“Viti 2022 u karakterizua nga rritja e shpejtë e çmimeve të banesave dhe nga një kërkesë e lartë e individëve për blerjen e tyre për qëllime investimi. Ndërkohë, bankat në kushtet e konkurrencës së shtuar dhe për të adresuar pasigurinë e shkaktuar nga rritja e shpejtë e normave të interesit, prezantuan kredi hipotekore me norma fikse interesi për vitet e para në fund të vitit. Si pasojë e këtyre ofertave, zhvillimet e tremujorit të parë mbartën edhe kërkesën e shtuar.”

Në ndryshim me vitin e shkuar, zgjerimi i kredisë hipotekore gjatë tremujorit të parë të këtij viti erdhi nga portofoli në valutë, duke ndikuar edhe në rritjen e peshës së kredisë hipotekore në euro me 1.2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Rritja e kredisë në valutë ka qenë më e shpejtë se ajo në lekë, e cila ka ndjekur një tendencë ngadalësuese prej verës së vitit të kaluar. Normat e rritjes së saj janë ngadalësuar në 9.9% në tremujorin e parë nga niveli mesatar prej 13.4%.