Malaj: Shqipëria nivel minimal risku nga ndërhyrjet ruse, kineze apo iraniane në ekonomi

4 Shkurt 2025, 17:06 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Malaj: Shqipëria nivel minimal risku nga ndërhyrjet ruse, kineze apo

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj deklaroi sot se Shqipëria aktualisht ka një nivel minimal risku nga ndërhyrjet ruse, ato nga Kina apo Irani në ekonomi. Por theksoi ai, sulmet kibernetike nga Irani janë të shumta si në sektorin privat edhe atë publik.

Në fjalën e tij, në Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, në Kuvend, Malaj renditi edhe disa nga masat që duhet të ndërmarrin institucionet publike, kryesisht për të minimizuar mundësitë për hyrjen e investimeve të huaja nga këto vende jo miqësore me Shqipërinë.

“Burimet që ne duam të analizojmë janë ato që vijnë nga Rusia, ku fatmirësisht Shqipëria ka një nivel minimal dhe nuk ka nivele risqesh potenciale. Kina, e cila ka qenë prezent në disa sektorë kritik të vendit, por është në reduktim, pra ka dalë nga aeroporti, ndërsa është në përfundim edhe kontrata koncesionare e naftën, për fat të mirë. Irani nuk ka ndikime domethënëse në ekonomi, por është agresiv në goditjet hakeruese të të gjitha platformave ekonomike dhe private të shtetit shqiptar”, tha ai.

Si shqetësim, Malaj ngriti investimet që kanë burime të panjohura qartë, që sipas tij mund të jenë burime informale.

“Duhen minimizuar në minimum burimet kriminale në investimet e huaja direkte në vendin tonë“, deklaroi Malaj.

Ai foli për eficencë të institucioneve shqiptare në drejtim të parasë që vjen në ekonomi nga krimi.

“Vitin e kaluar Shqipëria ka marrë vlerësim pozitiv nga Money Valeu lidhur me daljen nga zona gri që tregon se puna e institucioneve është me eficente, por që gjithmonë mbetet një sfidë“, u shpreh ai.

Malaj renditi 4 elementë thelbësorë për mbajtjen nën kontroll të burimeve të investimeve.

“Kuadri ligjor që nënkupton ligjet dhe aktet nënligjore. Duhet t’i miratojmë si paketa ligjore dezinfomimin dhe investimet e huaja. Duhet bërë kujdes nga deformimi i frymës së ligjeve dhe akteve nënligjore. Duhen eliminuar vonesat në zbatimin e kuadrit ligjor. Duhet qartësim i funksioneve dhe përgjegjësive të institucioneve në luftën kundër dezinformimit, si dhe duhet identifikim i investimeve të huaja bazuar në analizën e riskut gjeopolitik”, u shpreh Malaj.

Malaj po ashtu theksoi se implementimi i ligjeve dhe strategjive mbetet një sfidë dhe për këtë dhe kërkoi një monitorim të vazhdueshëm nga Kuvendi, përtej mandatit të këtij komisioni.

“Pikë e fundit mbetet monitorimi. Bëjmë ligje të mira, strategji të mira, por sfida është implementimi i saktë i tyre. Në këtë aspekt kemi diskutuar edhe për faktin se komision është ad-hoc por Kuvendi i Shqipërisë edhe pas zgjedhjeve të reja patjetër duhet të ketë prioritet ndalimin e reduktimin e investimeve të huaja nga vendet jomiqësore me Shqipërinë“, u shpreh Malaj.

Malaj theksoi se për investimet që vijnë nga vende jomiqësore, duhet një mbikëqyrje thellësisht profesionale.

Njëkohësisht theksoi se shumë koncesione janë në përfundim të kontratës së tyre dhe është mundësi e mirë për t’u rishikuar. Ai propozoi që investimet nga vendet jomiqësore të mos rinovoheshin si zgjatje. Ai po ashtu kërkoi një kontroll për evazion fiskal, pasi, theksoi ai, ka një shqetësim.

Malaj propozoi të përmirësohen negociatat me kompanitë e reja koncesionare, sepse sipas tij, ekonomia do të ketë gjithmonë nevojë edhe për investime private.

Duke folur për sistemin bankar, Malaj tha se nuk fitohet lufta me dezinformimin, nëse nuk ka edukim dhe parandalim.

“Duhet të krijojmë një sistem fact check për të ndarë përgjegjësitë, duke mos cenuar edhe lirinë e medies”, u shpreh Malaj, duke vënë theksin në faktin se dezinformimi në këtë epokë ka në gjeografi të pakufizuar.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128