Numri i degëve të bankave ra në nivelin më të ulët prej vitit 2007, por disa do të rinisin zgjerimin

6 Mars 2023, 08:02 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Numri i degëve të bankave ra në nivelin më të ulët

Numri i degëve të sektorit bankar ra përsëri vitin e kaluar dhe preku shifrën më të ulët që prej vitit 2007.

Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se numri i degëve zbriti në 396, nga 417 që kishte qenë një vit më parë. Rënia e vitit të kaluar i detyrohet kryesisht bashkimit mes bankave OTP dhe Alpha, që solli si rezultat mbylljen e një pjese të degëve të tyre.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet.

Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ka rënë nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm është dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare. Sot pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit.


Megjithatë, nuk është e thënë që tkurrja e rrjetit të degëve të jetë e pakthyeshme. Këtë vit, disa prej bankave po ndërmarrin plane të reja të zgjerimit të rrjetit të tyre. Dy bankat me numrin më të vogël të degëve, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe ProCredit Bank Albania po ndërmarrin një rritje të ndjeshme të numrit të tyre.

Në rastin e UBA, zgjerimi i rrjetit është i lidhur me ndryshimin e aksionerit kontrollues të bankës. Në fund të vitit të kaluar, grupi Eurosig finalizoi blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim. Aksioneri i ri ka shfaqur ambicie për rritjen e biznesit dhe të pjesës së tregut të bankës. Pjesë e planit do të jetë edhe zgjerimi i rrjetit të deëgve.

Një strategji të ngjashme po ndërmerr edhe ProCredit Bank Albania. Kjo bankë afërsisht një dekadë më parë nisi një projekt masiv të dixhitalizimit dhe automatizimit të shërbimeve, duke mbyllur pjesën më të madhe të degëve të bankës.

Nga 40 degë në vitin 2010, në vitin 2018 numri i degëve zbriti në vetëm pesë të tilla. Por, kjo strategji, me sa duket, rezutoi shumë e parakohshme. Pjesa e tregut të bankës pësoi rënie të vazhdueshme dhe zbriti në 2.1% në vitin 2021, nga 4.6% që kishte qenë në vitin 2009.

Vendimi për të reduktuar në minimum rrjetin e degëve ishte një nga faktorët që ndikuan në trajektoren rënëse të bankës. Edhe për këtë arsye, ProCredit ka vendosur të zgjerojë sërish rrjetin e degëve.

Shqipëria ngelet një ndër vendet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë. Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, për vitin 2021, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë.

Shqipërisë ishte është vendi i dytë me depërtimin më të ulët të njësive bankare në popullatë, pas Kosovës, që e kishte këtë tregues në nivelin 11.6 degë për 100 mijë banorë.

Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Bosnje-Hercegovina me 29.8 degë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 26.4 degë për 100 mijë banorë, Mali i Zi, me 25.8 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 22.4 degë për 100 mijë banorë.

Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh në raport me popullsinë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2021 ishte në nivelin 21.1 degë për 100 mijë banorë.

Në rastin e BE-së, depërtimi i degëve bankare në dekadën e fundit ka pësuar një rënie të ndjeshme. Në vitin 2010, ky tregues kishte kishte qenë në nivelin 35.4. Kjo lidhet pjesërisht me krizën financiare, por arsyeja kryesore është tendenca në rritje e dixhitalizimit të shërbimeve, që e ka ulur gradualisht nevojën për njësi bankare fizike.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zëvendësimi i shërbimeve bankare në rrjet me ato dixhitale është më i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit. Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi.

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128