RCC: Shkupi hap “ofensivën” rajonale për universitetet

Diploma pa kufij, apo kufij pa diploma?
Në një kohë kur universitetet rrezikojnë të prodhojnë më shumë diploma sesa dije, në Shkup është hapur një konferencë që premton të bëjë pikërisht të kundërtën. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Botërore dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut kanë mbledhur në kryeqytetin maqedonas ministra, rektorë, ekspertë dhe përfaqësues të industrisë për të diskutuar një çështje që zakonisht trajtohet me shumë fjalë dhe pak rezultate, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
Konferenca me titull ambicioz “Ndërtim i Urave” vjen në një moment kur rajoni përpiqet të bindë veten se mund të konkurrojë globalisht, ndërkohë që ende lufton me njohjen e diplomave brenda kufijve të vet. Organizatorët e pranojnë në mënyrë elegante këtë kontradiktë, duke e shndërruar në motiv për bashkëpunim. Ministrja Vesna Janevska tha se, synimi nuk është më të diskutohet, por të prodhohet një hartë konkrete veprimi që lidh universitetet, rrit cilësinë dhe hap mundësi reale për studentët.
Në sfond është edhe një presion më i madh, afrimi me Bashkimin Evropian, ku arsimi nuk është më vetëm çështje akademike, por standard ekonomik dhe politik. Për këtë arsye, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së, Amer Kapetanović, bashkëpunimi rajonal nuk është luks, por domosdoshmëri, një mënyrë për të shmangur izolimin dhe për të krijuar një treg real njohurish ku studentët dhe profesionistët mund të lëvizin pa pengesa.
Nga ana tjetër, Xiaoqing Yu nga Banka Botërore e përkufizoi ndërkombëtarizimin si një mënyrë për të kthyer konkurrencën në bashkëpunim, një ide që tingëllon e thjeshtë në teori, por që në rajon shpesh përplaset me realitete më kokëforta, nga burokracia te rivalitetet e vjetra akademike.
Në tryezat e konferencës diskutohen tema që zakonisht mbeten në dokumente, lëvizshmëria e studentëve, njohja e diplomave, lidhja me industrinë, financimi dhe cilësia. Diferenca këtë herë është premtimi për t’i kthyer në një udhërrëfyes konkret rajonal, një dokument që teorikisht duhet të kalojë nga raftet e institucioneve në praktikë.
Në një rajon ku “qarkullimi i trurit” shpesh nënkupton largim pa kthim, ideja për ta kthyer në qarkullim brenda rajonit është ndoshta ambicia më interesante e kësaj nisme. Nëse do të funksionojë, mbetet për t’u parë. Por për një herë, Ballkani po përpiqet të ndërtojë ura për dije, jo vetëm për konferenca.
Po ndodh...
ide
Kush nuk punon për liderin legjendar, punon për PS!
Kali i Saliut, tagjia e Edit
Itali/ Hetime, ligje dhe helme, përplasja e përjetshme mes politikës dhe drejtësisë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128