Emrat dhe akuzat/ Prokurorët i shkuan në zyrë Arben Vojës, lëshohen pesë urdhër-arreste për zyrtarë të njohur në Fier

12 November 2026, 15:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

Emrat dhe akuzat/ Prokurorët i shkuan në zyrë Arben Vojës,

Ish-drejtori i Kadastrës së Fierit dhe drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është arrestuar këtë të enjte me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të një hetimi për tjetërsimin e dyshuar të 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore.

Sipas hetimeve, toka dyshohet se i është kaluar një biznesmeni për ndërtimin e një impianti fotovoltaik, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Hetimi lidhet me periudhën kur Voja drejtonte Kadastrën e Fierit.

Për këtë çështje janë caktuar katër masa sigurie “arrest në burg”. Përveç Vojës, nën hetim janë edhe një ish-jurist i Kadastrës, një hartografe, një notere dhe punonjës të tjerë të këtij institucioni.

Sipas burimeve për "Shekullin", në mesin e personave të arrestuar është shtetasi Dilaver Shyti, ish-kreu i njësisë administrative Dërmenas, si dhe dy punonjëse të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Fjorelo Bida dhe Arbina Jaupaj. Masa e sigurisë arrest me burg është lëshuar dhe për noteren Anila Haxhiu.

Emri i Arben Vojës është përmendur edhe më herët në një kallëzim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në SPAK në maj të vitit 2023, për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Në atë kohë, institucioni pretendonte se veprimet e konstatuara i kishin shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 9.5 milionë lekësh.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Arben Vojën dhe gjashtë ish-punonjës të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër. Ata dyshohen për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien e lejeve mjedisore dhe mosmbledhjen e tarifave.

Po ndodh...