200 banesa të dëmtuara dhe 10 mijë hektarë të djegur, 500 zjarrfikës vijojnë betejën me flakët në Greqi
Autoritetet greke kanë urdhëruar evakuime të reja në perëndim të Athinës, ndërsa rreth 500 zjarrfikës vijojnë betejën për të tretën ditë radhazi me një nga zjarret më të mëdha që ka përfshirë zonën. Flakët kanë shkatërruar mijëra hektarë pyje dhe dhjetëra banesa.
Të dielën u urdhërua evakuimi i parkut industrial të Megarës, si edhe i vendbanimeve Kandyli, Aghia Skepi, Toutouli, Nea Dafni, Pefkeneas dhe Aghios Sarantis, pasi zjarri po përparon drejt Megarës.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se vendi po kalon “ditë jashtëzakonisht të vështira, me kushte ekstreme të motit” dhe premtoi mbështetje shtetërore për banorët, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar ose janë shkatërruar
“Duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. Vitet e fundit kemi investuar më shumë se kurrë në forcimin e mbrojtjes civile. Por ka raste kur natyra dhe kushtet e motit tejkalojnë çdo planifikim dhe aftësi operacionale njerëzore”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Zjarri nisi të premten në Aghios Vassilios dhe të shtunën u përhap drejt Porto Germenos, një qytet bregdetar në Gjirin e Korintit, rreth 70 kilometra në perëndim të Athinës.
Operacioni për shuarjen e flakëve përfshin 500 zjarrfikës, 134 mjete zjarrfikëse dhe tetë avionë që hedhin ujë. Megjithatë, puna e tyre po vështirësohet nga erërat që fryjnë me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë. Në terren ndodhen edhe ekipe zjarrfikësish nga Franca dhe Rumania.
Sipas televizionit shtetëror ERT, rreth 200 banesa janë shkatërruar ose dëmtuar në Porto Germeno, ndërsa janë djegur rreth 10 mijë hektarë pyje dhe shkurresh.
Në ishullin Kefalonia, një tjetër zjarr pranë fshatit Pastra detyroi evakuimin e disa vendbanimeve, ndërsa 31 zjarrfikës dhe shtatë mjete po punojnë për izolimin e flakëve.
Autoritetet arrestuan dy persona që dyshohen se kanë shkaktuar pa dashje zjarrin e madh në perëndim të Athinës. Sipas hetimeve, flakët mendohet të kenë nisur nga shkëndija të krijuara në kabllot që lidhin një park me erë me rrjetin kryesor të energjisë. Dy të arrestuarit ishin të përfshirë në ndërtimin e parkut me erë dhe përballen me akuza penale.
Ndërkohë, disa zjarre të tjera më të vogla vijojnë të jenë aktive në pjesë të ndryshme të Greqisë. Javën e kaluar, një seri zjarresh të mëdha përfshiu vendin për shkak të erërave të forta, ndërsa tre zjarrfikës humbën jetën gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve në ishullin e Kretës dhe në Peloponezin jugor.
Po ndodh...
Berisha is aging "when he wants to", but the DP is giving up!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128