"Flamingot si simbol i revoltës ndaj kastës politike"/ Prestigjozja australiane: Protesta më e madhe që prej rënies së komunizmit!

2026-08-02 11:13:00 / POLITIKË ALFA PRESS
"Flamingot si simbol i revoltës ndaj kastës politike"/

Media e njohur australiane "ABC Australia" i ka kushtuar një artikull të gjerë dhe të detajuar situatës aktuale në Shqipëri, duke u ndalur te protestat e zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe debatet e forta për zhvillimin turistik në zonat e ndjeshme bregdetare të vendit.

"Revolucioni i Flamingove" dhe pakënaqësia qytetare

Sipas raportimit të "ABC Australia", në vend po rritet ndjeshëm një pakënaqësi qytetare që lidhet ngushtë me domosdoshmërinë e mbrojtjes së zonave natyrore, veçanërisht në zonën e Sazanit dhe Lagunës së Nartës. Lëvizja e njohur tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi fillimisht si një shqetësim i pastër mjedisor, është shndërruar sipas medias australiane në një protestë shumë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe mungesës së transparencës institucionale.

Përplasja për Sazanin, Zvërnecin dhe investimet e Jared Kushner

Artikulli i mediumit australian fokusohet te projektet ambicioze për zhvillimin e resorteve luksoze në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke përmendur hapur përfshirjen e kompanive të lidhura me dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, dhe Ivanka Trump.

"ABC Australia" vë inat se ky projekt ka nxitur debate të forta, duke vënë përballë mbështetësit e zhvillimit ekonomik dhe aktivistët e shoqërisë civile, të cilët paralajmërojnë dëme të pariparueshme për ekosistemin natyror të Mesdheut. Sipas kritikëve të cituar në artikull, ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, të cilat u miratuan nga qeveria shqiptare, kanë hapur rrugën për ndërtime turistike në territore që dikur gzonin mbrojtje dhe kufizime më të rrepta.

Simboli i flamingove dhe përplasja e dy qëndrimeve

Laguna e Nartës, e cila shërben si një habitat jetik për shpendët migratorë dhe specie të tjera të mbrojtura, ka bërë që flamingot të kthehen në simbolin kryesor të kësaj rezistence. Ambientalistët insistojnë se pasuritë natyrore të bregdetit shqiptar nuk duhet të sakrifikohen për hir të betonizimit.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka mbrojtur qëndrimin e saj, duke theksuar se projektet turistike janë pjesë e strategjisë për zhvillimin ekonomik dhe se investimet e huaja duhet të shihen si një mundësi e artë për rritjen e sektorit të turizmit dhe punësimit.

Në përfundim, "ABC Australia" vëren se debati mbi Sazanin dhe bregdetin e jugut është shndërruar në një nga çështjet më të nxehta dhe të diskutuara në opinionin publik, duke vënë në pah sfidën e madhe të Shqipërisë: gjetjen e një ekuilibri mes ruajtjes së pasurive natyrore dhe nevojës urgjente për zhvillim ekonomik përmes turizmit elitar.

Po ndodh...

top