FLASH NEWS

Arrestimi i ish-efektivit të RENEA-s Altin Morina, policia njoftim zyrtar: Bashkëpunëtori i tij…

2025-04-04 11:04:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Arrestimi i ish-efektivit të RENEA-s Altin Morina, policia njoftim zyrtar:

Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje me arrestimin e ish-efektivit të forcave RENEA, Altin Morina.

AI është arrestuar mbrëmë nga shërbimet e komisariatit nr.2 në Tiranë teksa bashkë me të ishte edhe një person tjetër. Altin Morina u shpall në kërkim në 17 maj të 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”

Altin Morina u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. 43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plasmasi. Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Ndërsa te dosja Revanshi sipas SPAK Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A. M., 45 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK, për veprën penale “Kultivimi i bimeve narkotike“, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, u arrestua dhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte 45-vjeçari, shtetasi E. H., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

 

Happening now...